PDK-ja në Deçan kundërshton shpronësimin e pronave, pa zhvilluar fillimisht debat

28 shkurt 2018 | 17:51

Kërkesa e kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për shpronësim të pronave që lidhin rrugët “Himë Mushkolaj” me atë që mban emrin “Haxhi Mushkolaj”, është kundërshtuar fuqishëm nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së në këtë komunë, Mon Selmonaj.

“Rruga në fjalë dhe shpronësimi i pronave nuk ka të bëjë me interesin publik, sikurse që është edhe jashtë planit zhvillimor komunal dhe planit zhvillimor urban. Drejtori i urbanizmit nuk ka mundur ta arsyetojë kërkesën, duke mos qenë në gjendje për të prezantuar arsyeshmëri për nevojat kaq urgjente që insistohet vazhdimisht, që nga përbërja e kaluar. Nuk janë pyetur as pronarët e kësaj zone”, është shprehur Selmonaj.

Ai ka thënë se ka rrugë dhe projekte me prioritet më të lartë se kjo që po insistohet tash pa ndërprerë.

Selmonaj ka theksuar se grupi parlamentar i PDK-së në Kuvendin Komunal në Deçan përfaqëson interesat e qytetarëve. “Çdo iniciativë apo nismë që ka arsyeshmëri dhe bazë ligjore do të përkrahet, por jo edhe interesat e individëve dhe klaneve të tyre”, ka thënë Selmonaj.

Si rrjedhojë e kësaj, grupi parlamentar i PDK-së ka lëshuar seancën duke kundërshtuar me çdo kusht shpronësimin e këtyre pronave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të mërkurën…