PDK-ja: Paralajmërimi i taksës prej 10 euro për hyrje në Prishtinë, dëshpërim

25 tetor 2020 | 13:54

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë kanë mbajtur të dielën konferencë për media, në të cilën kanë folur për gjendjen e transportit publik në kryeqytet dhe për idenë e vendosjes së taksës për hyrje ditore në Prishtinë.

Zyrtarët e Degës së PDK-së në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin për paaftësinë menaxhuese të udhëheqjes komunale, e cila, sipas tyre, me papërgjegjësinë e saj e ka shndërruar kryeqytetin në një hapësirë kaotike pothuajse të pajetueshme, raporton “Epoka e re”.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli ka thënë se modeli i organizimit të trafikut urban dhe transportit publik ka mbetur i tillë që nga koha e qeverisjes së Ismet Beqirit në Prishtinë, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje në të dy fushatat zgjedhore kishe premtuar zgjidhje sipas modeleve të avancuara evropiane, e në fakt kjo u minimizua vetëm në blerjen me kredi të disa autobusëve.

“Margaritari i fundit i modelit qeverisës të LV-së, paralajmërimi për të vendosur taksën e hyrjes në Prishtinë për banorët e qyteteve të tjera, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar, për të mbledhur një grusht votash. As kaq nuk do të jetë efekti i saj, ngase Prishtina, është e prishtinasve, por është edhe kryeqendra e gjithë Kosovës, jo vetëm administrative, por edhe biznesore. Duke qëndruar në Prishtinë, banorët e qyteteve të tjera i lënë asaj dhe bizneseve të saj një përqindje të lartë fitimi”, ka thënë Cakolli.

Deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Eliza Hoxha ka konsideruar se taksa është hapi i fundit në menaxhimin e lëvizshmërisë brenda një qyteti atëherë kur të gjitha hallkat janë në funksion dhe qytetarët pa dallim kanë një mori alternativash dhe mundësish për të lëvizur në qytet dhe jashtë tij.

“Kur jemi tek mobiliteti dhe infrastruktura lirisht mund të themi se të gjitha rrugët shpijnë në Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës sa ishte në pushtet në nivelin qendror ka realizuar një mori projektesh infrastrukturore në nivel vendi, autostradat si dhe zgjerimin dhe trajtimin e rrugëve regjionale që Prishtina të jetë e lidhur sa më mirë me të gjitha qytetet e tjera”, ka thënë ajo.

Midis shumë premtimeve të parealizuara nga qeverisja aktuale, deputetja Hoxha ka përmendur mosrealizimin e rrugës A, dështimin e krijimit të sistemit të integruar të biletave, moslirimin e studentëve nga pagesa dhe ndërtimin e një stacioni modern të autobusëve.

Sipas saj, të thirresh në taksë për me pak makina e më pak ndotje në qytet e të ndërtosh parking me 700 njësi parkimi në qendër të qytetit është absurde.

Ajo ka treguar se shqetësim të njëjtë ka edhe për këmbësorët. “Ecja në këmbë vazhdon të jetë mision i pamundur por edhe ajo me biçikletë. Krijimi i shtigjeve të reja për çiklistë në dëm të hapësirës, trotuarit për këmbësor siç është rasti tek ndërtesa e KEDS e tutje po ashtu tregon për qasje përjashtuese”, ka thënë Eliza Hoxha, duke shtuar se Prishtina nuk duron më këso veprime ad-hoc dhe qasje përjashtuese të vazhdueshme varësisht nga agjendat e akterëve qeverisës.

Sipas Hoxhës, mungesa e vizionit të të dy subjekteve qeverisëse deri tani e ka shndërruar Prishtinën në qytetin ku çdokush vjen të marrë atë që i takon dhe mundohet sa ma shpejtë të ikë nga ajo për shkak të zhurmës, ndotjes, presionit psikologjik e nervozes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mandatarja e qeverise së re në Serbi, kryeministrja e deritanishme…