PDK-ja sot e mbledh Këshillin Drejtues, do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit dhe zgjedhjet e brendshme partiake

03 shkurt 2024 | 10:19

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) sot do të mban mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku do të diskutohet për disa çështje të rëndësishme shtetërore dhe partiake.

Në rendin e ditës, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, në mbledhjen e cila do të fillojë në ora 13:00 do të diskutohen për gjashtë çështje.

Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë diskutimi rreth aktualitetit politik, me theks të veçantë do të flitet për çështjen e draft-statutit për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Më pas, organi më i lartë i PDK-së do të diskutojë për disa çështje të brendshme partiake.

Si pikë e dytë e rendit të ditës do të jetë diskutimi për zgjedhjet e brendshme në PDK-së.

Sipas rendit të ditës, në piken tre është paraparë miratimi i një deklarate politike, ku do të tregohen qëndrimet e PDK-së për disa çështje të rëndësishme.

Ndërsa, në dy pikat e fundit pritet të diskutohet për aktivitetin e Kryesisë së PDK-së dhe Grupit Parlamentar të kësaj partie.

“4. Informate për punën e Kryesisë nga mbledhja e fundit e Këshillit Drejtues. 5. Informatë për punën e Grupit Parlament nga mbledhje e fundit të Këshillit Drejtues” është thënë në rendin e ditës.

Për mbledhjen e Këshillit Drejtues ka folur edhe ish-shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Adem Grabovci.

Ai ka bërë me dije se në këtë mbledhje zyrtarët e PDK-së do të kenë mundësinë t`i shprehin të gjitha shqetësimet dhe mendimet e tyre për temat të caktuara.

Ai ka treguar se do të marrë pjesë në këtë mbledhje.

“Patjetër se unë do të jem pjesëmarrës, siç kam qenë gjithnjë në mbledhjen e Këshillit drejtues. Sepse është respekt së pari për vetëvetën, për përcaktimet ne mija e gjithsesi për organin më të lartë të partisë”, ka thënë Grabovci në një intervistë për “Indeksonline”.

Mbledhja e fundit e Këshillit Drejtues

Mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues PDK-ja e ka mbajtur në korrik të vitit të kaluar.

Në atë mbledhje, partia më e madhe opozitare kishte vendosur që të ndërpres çdo komunikim me Qeverinë dhe Presidencën.

Në deklaratën politike që e kishte miratuar, PDK kishte kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, pas mbledhje, kishte treguar për vendimet e partisë.

“Në një kohë sa më të shpejtë të shpallet data për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit. Nga sot s’do të votojmë në asnjë forum, as ligje, as vendime, as rezoluta, as marrëveshje, sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne s’mund ta simulojmë normalitetin”, kishte thënë Krasniqi në konferencë për media.

Ndër të tjera, ai kishte treguar se pse kishin vendosur për ndërprerjen e komunikimit me institucionet qendrore.

“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani përveç në situata emergjente dhe për të diskutuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme”, ishte shprehur Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbushen plot 24 vjet nga masakra në natën mes…