PDK mohon akuzat në lidhje me grafitet fyese për Graincën

21 prill 2021 | 08:11

Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar akuzat në lidhje me grafitet fyese për ish deputeten nga kjo parti, Adelina Grainca.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi tha për Telegrafin se PDK nuk e sulmon dikë në shtëpi e familje për motive politike.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike”, tha Bytyçi.

Ai më tej u shpreh se për këtë arsye ky sulm është i papranueshëm edhe për PDK-në.

“Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët!”, tha zëdhënësi i PDK-së.

Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.

“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.

Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derek Chauvin është dënuar për vrasje për vrasjen e afro-amerikanit…