PDK s’i trembet sondazheve, insiston që më 9 qershor të shkohet në zgjedhje

07 prill 2024 | 19:15

Partia Demokratike e Kosovës ka ripërsëritur gatishmërinë për zgjedhje të reja. Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku dhe shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, kanë ftuar partinë në pushtet që “t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së PDK që më 9 qershor të organizohen zgjedhjet e parakohshme”.

Duke komentuar rezultatet e sondazhit, Tahiri tha se janë “zgjedhjet ato që përcaktojnë fatin e një qeverie”, derisa i bëri thirrje kryeministrit Kurti “që të mos frikësohen” nga ftesa e partisë së dytë më të madhe opozitare për zgjedhje të reja.

“Sondazhet janë sondazhe, por zgjedhjet janë ato që përcaktojnë fatin e një qeverie. Ne i bëjmë thirrje edhe kryeministrit Kurti dhe qeverisjes së LVV-së që të mos frikësohen dhe ti përgjigjen pozitivisht ftesës së PDK që më 9 qershor të organizohen zgjedhjet e parakohshme”, tha Tahiri.

Tahiri u shpreh se qeverinë e re do ta formoj kandidati i tyre për kryeministër, Bedri Hamza dhe se për këtë gjë nuk kanë asnjë pikë dyshimi.

“Zgjedhjet janë nevojë për nxjerrjen e vendit nga sanksionet dhe kriza. Ne nuk kemi as edhe një dyshim që mandatari që do ta formoj qeverinë e re të Kosovës do të jetë Bedri Hamza nga PDK. Ne konsiderojmë që vendimi jonë që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor është vendim i duhur”, tha ai.

Në një linjë me Tahirin, edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, nëpërmjet një postimi në Facebook ditë më parë tha se partia e saj është e përgatitur për zgjedhje duke rikujtuar propozimin e datës 9 qershor.

“Sondazhet janë sondazhe. Herë ia qëllojnë, herë jo. Zgjedhjet janë zgjedhje. Ato janë të sakta VV, nëse jeni të kënaqur, ejani shkojmë në zgjedhje. 9 Qershor? PDK është gati”, tha ajo,

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javë më parë në një intervistë për RTK-në, ka deklaruar se partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, është gati për zgjedhje, duke ftuar opozitën që nëse nuk i ka numrat ta marrë Kosovën. ndaj zgjedhjeve të reja, ai mund t’i bëjë ato vetë.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 ka treguar që për shpërndarje të Kuvendit duhen 2/3 dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje. Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja”, ka thënë Kurti./ Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Polacit…