PE-ja miraton rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë

06 korrik 2022 | 13:41

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën rezolutën për Kosovën, të prezantuar nga raportuesja e Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, Viola von Cramon.

Dokumenti i prezantuar është votuar pa asnjë kundërshtim në asnjë amandament. Nga 637 deputetë të Parlamentit Evropian, 469 votuan për, 96 kundër dhe 72 kanë abstenuar.

Viola von Cramon ka dhënë detaje nga raporti duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe procesin e saj të dialogut me Serbinë.

Në këtë raport, ajo ka folur për solidarizimin e Kosovës me Ukrainën, sundimin e ligjit, ndërsa ka theksuar edhe kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Në raport është folur me theks të veçantë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, ku Von Cramon ka thënë se pa arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve, nuk do të mundësohet anëtarësimi në BE.

Në pjesën ku është përmendur nevoja për liberalizimin e vizave, Von Cramon ka theksuar faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Parlamenti Evropian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën e dhënies së menjëhershme të liberalizimit të vizave, i cili ka kohë që është vonuar, pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane!”, ka deklaruar von Cramon.

Kritika ndaj Bashkimit Evropian për mos liberalizimin e vizave për Kosovën ka pasur sot në Parlamentin Evropian edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, i cili ka thënë se Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, populli i së cilit nuk mund të lëvizë lirshëm nëpër zonën Schengen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria shqiptare ka vendosur që të heqë tarifat doganore për…