Për asnjë çmim nuk tregtojmë me besimin e qytetarëve që përkrahën LDK-në

26 maj 2020 | 20:33

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), aktualisht ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka thënë se asnjë anëtar i kësaj partie dhe as ai për asnjë çmim nuk tregtojnë me besimin e qytetarëve që e përkrahën projektin e LDK-së që nga dhjetori i 1989-s.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se LDK-ja gjithnjë ka trajtuar të gjithë partnerët qeverisës me respekt dhe dinjitet.

“Shpeshherë ne LDK kemi ‘përbirë gurët e nxehtë’ të shumë linçimeve, ofendimeve, tradhtive e mizorive, disa prej nesh edhe të vrasjeve, vetëm për shtyrë projektin tonë, të shtetformimit të Kosovës së pavarur, përpara edhe një hap; edhe një hap; edhe një hap”, ka shkruar Besian Mustafa.

Postimi i plotë i tij:

Me LDK-në jam rritë. Nuk kam shpi tjetër, që nga 1989.

Projekti i LDK-së për shtetndërtimin e Kosovës së pavarur, i nisur më 1989, kur pakkush e besonte se mund të bëhej, vazhdon në 2020, plot 30 vjet pas themelimit të LDK-së. Shtetësia e Kosovës dhe LDK-ja janë të pashkëputshme, një simbiozë historike, rrumbullakimi i së cilës po afron.
Secili anëtar i LDK-së, mbartim me vete kulturën politike të afrimit të njerëzve, partive dhe ideve, të bashkimit e jo të shpërndarjes, sepse siç thoshte ati themeltar i Kosovës, Presidenti Rugova “ne s’kemi njerëz për të humbur”. Si anëtar i Kryesisë së LDK-së, kryetar i Degës IV në Prishtinë, deputeti i gjashtë më i votuar dhe, me besimin e po kësaj Kryesie ministër nga radhët e LDK-së, e them me përgjegjësi të plotë politike dhe njerëzore se LDK gjithnjë ka trajtuar të gjithë partnerët qeverisës me respekt dhe dinjitet. Shpeshherë ne LDK kemi “përbirë gurët e nxehtë” të shumë linçimeve, ofendimeve, tradhtive e mizorive, disa prej nesh edhe të vrasjeve, vetëm për shtyrë projektin tonë, të shetformimit të Kosovës së pavarur, përpara edhe një hap; edhe një hap; edhe një hap.
Asnjë anëtar i LDK-së, as unë, asnjëri nga ne, për asnjë çmim, nuk tregtojmë me besimin e qytetarëve që e përkrahën projektin e LDK-së që nga dhjetori i 1989-tës. Rrumbullakimi i këtij projekti po afron, me LDK-në në krye, si gjithnjë.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëna të tilla shqiptare ka sa të duash, por po…