Për hatër të qeverisë desha t’i zhduk 20 vitet e kaluara, por…

01 korrik 2023 | 13:55

Duke parë se Qeveria Kurti vazhdon të merret me Qeveritë në 20 vitet e shkuara dhe nuk po i del pastaj kohë për të bërë as edhe një punë në shërbim të qytetarëve, vendosa  t’i zhduk nga historia të gjitha ato vite dhe emrat e Kryeministrave dhe të Ministrave, por…

Hapa ditarin tim dhe shkova të kujtimet që kam shënuar nga Qeveria Thaçi. Lexova faktet se pagat në arsim kishin shënuar rritje prej 116 %. Po ta zhdukja këtë pjesë atëherë pagat në sektorin e arsimit, por edhe të tërë sektori publik do t’i ngjanin  ndihmës sociale. Nuk i zhduka dot këto fletë nga ditari im.

Vazhdova tutje dhe thash hajt po zhduk fletat nga koha kur Kryeministër ishte Isa Mustafa, por jo se ai bashkë me Kujtim Shalën, Avdullah Hotin e Arban Abrashin kishin pranuar vitet e 90-ta për punëtorët e arsimit si vite kontributdhënënëse, kishin implementuar shtesën prej 5 % për çdo vit shërbimi që mundësonte një shtesë goxha të mirë në pagë dhe kishin bërë edhe angazhime të tjera në realizim të kërkesave të SBASHK-ut. Nuk u bë hiç të zhduk as këto faqe nga ditari im.

Shkova tutje duke shfletuar dhe tash po i bëj copë copë fletët e ditarit nga Koha e Qeverisë Haradinaj, por nuk e bëra se po të zhdukej e mos të ishte kjo kohë atëherë punëtorët e arsimit nuk do ta kishin dot Ligjin për punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës, Ligj ky që njeh atë kohë të sakrificave sublime të punëtorëve të arsimit në mbrojtje të dijes e dritës kundër errësirës që donte të mbillte pushtuesi. Ky ligj u siguron një mbështetje shtesë materiale gjithë atyre pishtarëve të dijes dhe ata janë mirënjohës e krenar për këtë. Nuk shlyhet e as nuk harrohet dot as kjo kohë e Qeverisë Haradinaj.

Mendova se e ka më lehtë ta zhduk nga ditari atë kohën e Qeverisë Hoti se zgjati fatkeqësisht me pak, por nuk e bëra dot. Ishte kjo kohë plot sfida e vështirësi që krijoi pandemia. Kryeministri Hoti me qetësi e urtësi po angazhohej në atë kohë. Na priste në takime dhe qetazi bashkëbisedonim dhe na plotësoi kërkesën për shtesën prej 100 euro në pagë.

Ai bashkë me ministrin Likaj e zëvendësministrin Rexhaj u angazhuan sinqerisht dhe u nënshkrua edhe Kontrata Kolektive e Arsimit. Këto fletët e ditarit tim ruajnë vetëm disa fragmente të punës dhe angazhimeve të këtyre kryeministrave e qeverive që ata drejtonin për 20 vite dhe edhe po të kisha unë forcë magjike që të shlyeja këto do të ishte e kotë sepse vite ato kanë mbetur në kujtesën e mësuesit e të gjithë të punësuarve në sektorin publik.

Kryeministër Kurti në këtë rrugëtim kujtimesh në ditarin tim u ndala edhe të faqet që nisen më 14 shkurt e këndej. Nuk gjeta as edhe një kërkesë të realizuar për punëtorët e arsimit, por gjeta e lexova gjithë ato deklarata ironike e fyese. Lexova gjithë ato shpifje e sharje ndaj meje e mësuesve të Kosovës nga njerëz të paudhë që kanë zgjedhur këtë stil të ulët të rrugëtimit vetëm e vetëm për të pasur dhuratë një buzëqeshje nga ju.

Këtë ditarin tim do të botoj pasi të pensionohem dhe prandaj Kryeministër dhe ju Qeveri mos e humbni kohën kot me 20 vitet e kaluara po punoni e angazhohuni sepse deri tani shumë keq qëndroni në faqet e ditarit tim.

Rrahman Jasharaj,

Kryetar i SBASHK-ut

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar, Avdi Smajljaj, ka thënë se dëmi i masave…