Për herë të parë në botën arabe, një grua emërohet kryeministre

29 shtator 2021 | 15:45

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, ka emëruar Najla Bouden Romdhan kryeministre të këtij shteti. Ajo është gruaja e parë në botën arabe që do të mbajë postin e lartë.

Emërimi i shefes së re të qeverisë nga presidenti është bërë rreth dy muaj pasi ai e ka shkarkuar qeverinë e kaluar, duke marrë kompetenca të shumta për vete.

“Kjo është hera e parë në historinë e Tunizisë që një grua udhëheq një qeveri. Është nder për Tunizinë dhe për gratë tuniziane”, ka thënë presidenti Saied gjatë takimit me kryeministren e re.

Sipas një faqe tuniziane, Romdhan ka shërbyer në Ministrinë e Arsimit të Lartë më 2011.  Ajo do ta fillojë punën në qeveri në një kohë krize, ndonëse ka dyshime për fuqinë e vërtetë të saj në pushtet.

Qeveria e re duhet të marrë masa të shpejta për të kërkuar përkrahje financiare për buxhetin dhe borxhet, pasi marrja pothuajse e plotë e pushtetit nga presidenti në korrik i pezulloi bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, shkruan “CNN”.

Tunizia është përballur me rritje të numrit të rasteve me Covid-19, zemërim të publikut për mosfunksionimin politik dhe vështirësitë ekonomike. Qindra njerëz kanë dalë rrugëve të kryeqytetit në fundjavën e kaluar për të protestuar kundër veprimit të presidentit për t’i dhënë kompetenca vetes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raphael Varane ishte një nga largimet e bujshme të Realit…