Për një gazetë të përditshme sportive

27 qershor 2022 | 12:28

Nga Xhavit KAJTAZI

Shqipërisë, për fat të mirë, nuk i mungon të paktën një gazetë e shtypur sportive, pavarësisht se një numër i tyre, që kanë bërë histori, për shkaqe kryekreje financiare, kanë kaluar në sistemin online, duke vazhduar jetën si portale.

Në Kosovë, ndërkaq, prej vitesh nuk kemi asnjë gazetë të shtypur sportive, që pushuan daljen po për shkaqe financiare. Historiku i shtypit sportiv në Kosovë, nisi me shtojcat sportive, për të kaluar më vonë në gazeta periodike dhe ditore, por që nuk mbijetuan për arsye të mungesës së mjeteve financiare, duke mos arritur të mbahen në jetë nga shitja, madje as nga reklamat e ndihmat simbolike që kanë pasur për pak vjet…

Kalimi në sistemin online, mundësoi hapjen e portaleve dhe të gazetave sportive, duke pasuruar informimin në fushën e sportit, që po kërkonte shtigje të reja të afirmimit të vlerave, gjë që po e bëjnë me sukses…

Në Maqedoni, njësoj, si në Shqipëri dhe në Kosovë, gjallërojnë portalet e fushës së sportit, dhe vegëzat e gazetave online, por prej kohësh ka munguar të paktën një gazetë e shtypur sportive në gjuhën shqipe.

Pavarësisht se disa të përditshme në gjuhën shqipe që kanë dalë në Shkup me disa faqe sport, ato nuk kanë arritur t’i përmbushin kërkesat në rrije të vrullshme të veprimtarive sportive, e që ka ndikuar shumë në mungesën e hapësirës dhe të mundësive të afirmimit të vlerave prore në përparim…

Këtë që e shtrova mësipër, desha të jep një fotografi të vogël për një fushë të madhe të sportit shqiptar, të mbushur me plotë mungesa…

Ku e kam hallin?

Po besoj se edhe ju, kolegë të sportit dhe të gazetarisë sportive, e keni të qartë se na duhet një gazetë sportive që do të botohej në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, pse jo edhe në Podgoricë me të njëjtin emër.

Kjo e përditshme do t’i kishte redaksitë përkatëse të një gazete, e cila do të botohej në qendrat që i përmenda më herët…

Një grup nismëtar, i krijuar nga gazetarët dhe jo vetëm, do të mund të fillonte hapin e parë në drejtim të sendërtimit të projektit me titull pune (bie fjala): “Për një gazetë të shtypur sportive…”

Mos të harrojmë; këtë ua kemi borxh mijëra sportistëve shqiptarë, qindra klubeve, punëtorëve sportivë, trajnerëve dhe dashamirëve të sportit shqiptar…

Pa një gazetë të shtypur sportive, si pa histori të shkruar të sportit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Balerini i njohur Ilir Shaqiri ishte i ftuar këtë të…