PËR NJË KONCEPT TË MIRËFILLTË URBANISTIK-ARKITEKTONIK PËR SHTATOREN E ADEM DEMAÇIT

27 korrik 11:33

Nga: Arianit Bytyçi, arkitekt

Shtatorja e simbolit të rezistencës kombëtare ADEM DEMAÇI duhet të vendoset në një lokacion më kuptimplotë në aspektin simbolik dhe arkitektonik-urbanistik. Hapësira publike ku do të duhej të vendosej shtatorja, domosdoshmërisht duhet të jetë e ndërlidhur urbanistikisht me hapësira tjera publike, që do të inkurajonte komunikimin dhe ndërveprimim mes njerëzve. Të jetë një hapësirë publike ku qytetarët, studentët, profesorët, vizitorët vendorë e ndërkombëtarë të kryeqytetit do ecnin e do komunikonin çdo ditë.

Në hapësirën publike ku duhet të planifikohet vendosja e shtatores se Adem Demaçit duhet të ndodhë komunikim dhe aktivitete dinamike, duhet të jetë hapësirë publike vibrante dhe domethënëse, e jo të jetë një “ishull” i izoluar, siç është përzgjedhur aktualisht, i cili nuk mundëson ndërlidhjen me hapësira tjera publike, me sheshe e me bulevarde tjera.

Shikuar nga këto kritere bazike urbanistike, shtatorja e Adem Demaçit mund të vendoset në hapësirën pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës apo edhe në hapësirën e fillimit të Bulevardit Nënë Tereza, pranë kampusit universitar, hapësirë kjo që pritet të shndërrohet në bulevard për këmbësorë, sipas planit rregullues urban në fuqi.

Adem Demaçi mbi të gjitha ka qenë njeri i dijes dhe guximit, simbol i lirisë, demokracisë, sakrificës dhe i emancipimit, ka qenë shkrimtar. Prandaj, edhe meriton që shtatorja e tij të ngrihet në hapësira publike që promovojnë dijen dhe emancipimin.

Për të realizuar këtë qëllim, institucionet përgjegjëse duhet të shpallin konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për projektimin e hapësirës publike ku planifikohet vendosja e shtatores së Adem Demaçit dhe krahas kësaj të shpallet konkurs ndërkombëtar për idenë e shtatores.

Çdo vendimmarrje tjetër, në mënyrën siç ka ndodhur deri më tani nga institucionet përgjegjëse është improvizim klasik ballkanik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka vendosur t'i drejtohet Gjykatës…