Për Qerim Kelmendin

26 shkurt 19:13

Nga: Bedri Islami

Prej kohe kam dashur të tregoj një ngjarje që më ka mbetur në mendje si një përjetim i veçantë, që, me kalimin e viteve, është riardhur tek unë, përherë e njëjtë dhe e përjetuar si asaj dite.

Zhvillohej në një cep të Zvicrës, në majin e vitit 1998, Mbledhja e Përgjithshme – Kuvendi – i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Gjithçka ishte mes ankthit, enigmës dhe solemnes, pasi lufta kishte filluar në Kosovë, gjërat po transformonin botën politike shqiptare dhe, shumë nga ata që ishin në sallë, por edhe qindra të tjerë që kishin deleguar shokët e tyre, kishin qenë pjesë e ngritjes së strukturave të Luftës. Ishte gjithçka e ankthshme, si është një fillim lufte dhe e nesërmja do të kishte të papriturat e saj.

Çfarë do të ndodhte më tej: rruga ishte e vështirë, gjakimi do të ishte ndoshta i papërballueshëm, problemet që do të rriteshin mund të ishin të shumta – çka edhe ndodhi, por, si asnjëherë tjetër, Kosova kishte një strukturë të armatosur, djem vizionarë dhe prijës, që do të ishin më pas lavdia e saj.

Isha në pjesën e drejtimit të Kuvendit. Pesë vetë ishim zgjedhur të drejtonim: Adnan Asllani, Bardhyl Mahmuti, Bedri Islami, Mehmet Bislimi dhe Musa Xhaferi.

Për një rastësi të habitshme përfaqësonim thuajse të gjitha trojet: Adnani nga Kosova Lindore – Preshevë, Mehmeti nga Drenica, Musa Xhaferi nga shqiptarët në trojet e tyre nën Maqedoni, Bardhyli, aq sa ishte tetovar, ishte edhe prishtinali, ndërsa unë nga Shkodra.

Salla ishte e madhe, gjithë dritë dhe portën e hyrjes e kishte në një cep të saj, në të kundërtën e qëndrimit të Trupës drejtuese të Kuvendit, përpara ishte një kopësht i vogël, një çezme dhe as nuk e dija se si quhej vendi ku ishim mbledhur.

Në sallë ishin 89 delegatë. Para fillimit të Kuvendit kisha qëndruar me profesdor Hasan Ukhaxhën dhe Fazli Veliun. Ishte një pritje e zgjatur, pasi pjesëmarrësit do të vinin në orare të ndryshme.

Kur Kuvendi filloi, atëherë e ndjeva se ishte një ditë e veçantë, ndoshta më e veçanta e jetës sime!

Kishte nisur një debat, që për mua, ishte i habitshëm, kur befas, në hyrjen përballë meje u shfaq Qerim Kelmendi.

I hequr n fytyrë, mjekra ishte e rritur, më është dukur më i gjatë se kur e kisha takuar për herë të parë dhe asaj nate nuk ia mesova emrin si duhet, se e thërrisnin, Qerë, por që e dija se ishte nga Kelmendët.

Salla heshti pak dhe unë dëgjova zërat:

Qerimi, tha dikush.

Në të njëjtën kohë:

-Paska ardhur Dema!

Dhe përsëri, nga ana e majtë e vendit ku rrija dhe ku ishte ulur Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Gafur Elshani, dëgjova njërin, nuk e di se cili, që tha:

-Shpirtmadhi.

Më është dukur se po flisnin për tre vetë njëkohësisht, kur në sallë kishte hyrë vetëm një.

Qerim KELMENDI.

Nesër është përvjetori i parë i vrasjes së tij. Një vit pa Shpirtmadhin, pa Demën dhe pa Qerimin.

Në fakt, ai, para se të ishte Qerimi – një emër i vendosur nga i ati, ishte Shpirtmadhi dhe, më pas, Dema.

Sepse jetën e tij ia kushtoi Demës dhe Shpirtmadhit dhe shumë pak, Qerimit.

Ishte miku më i afërt i Zahirit, Ilirit dhe Adrianit!

Vetëm ky fakt e madhëron në një piedestal që paarritshëm për të tjerët.

I plangosuri i parë i UÇK-së. Njeriu që e thyente kufirin përmes borës, gjithnjë buzëgaz.

E kishin thyer atë dreq kufiri, kur gjthçka dukej e mbyllur dhe kur fare pak vetë besonin se kishte ende djem që donin t’ia kthenin pushkën Serbisë. Ishin, si do të thonte Adem Jashari, “buka e UÇK-së”.

mes tyre Qerim Kelmendi. I lëvizshëm si pak kush, serioz si shokët e tij.

Punët i bënte serioze, vetë ishte i qeshur, hokatar, i gatshëm për të bërë një mjedis të gezueshëm!

Ishin tre vetë në një!

Një njeri i trefishuar.

Për herë të parë e preka këtë të vërtetë në një Kuvend, që do e kishte për nder ta kishte në mesin e tij.

Më pas, ndër shumë vite, e kam njohur shumë më mirë, e kam pasur mik shtëpie dhe në shtëpinë time, tek nëna ime, ku shkonte sa herë që ishte në Shkodër, ishte si në shtëpinë e tij.

Kishte shkuar edhe më parë, do të ishte deri disa javë para vrasjes.

Është e pamundur të ketë gjëra të tjera për të.

Ruaj një letër të tij, nënshkruar “Shpirtmadhi”, për një ecuri të luftës, ku shpirti i tij duket aq i pastër, ashtu si ishte, dhe zemra e tij aq e ndjeshme, si shpirtmadh që ishte!

Një vit më parë do të vritej në pusi. Të mirët dhe trimat vriten edhe në pusi! Lufta, si duket, ende nuk ka mbaruar!

Menduan se e vranë!

Në fakt, mund të kenë vrarë Qerimin, por Demën e UÇK-së dhe Shpirtmadhin e Lëvizjes, nuk e vrasin dot kurrë!

Sepse ai ishte si ato gurët e mëdhenj të vendosur në qoshen e një godine të madhe dhe të gurtë, që nuk mund të zhbëhet nga vrasja.

Pusho në paqe, miku im i mirë.

Miku ynë, i të gjithëve!

Mburrem që isha miku yt dhe që nëna ime të quajti BIR!.

Ishe djalë i denjë!

Ishe shok i shkëlqyer, o më i miri i Kelmendve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia Evropiane e Barnave, EMA njoftoi sot se një kombinim…