Përballja e Gjermanisë me Coronavirusin, një sfidë e re dhe me plot shpresa pozitive

10 prill 2020 | 17:20

Mimoza Kelmendi

Mjeku Besmir Elmazi nga Prespa e Maqedonisë së Veriut u diplomua për Mjekësi në Tiranë në vitin 2009. Pas një përvoje disavjeçare si mjek në Maqedoni, erdhi për specializim në vitin 2014 në Gjermani në Klinikën Helios të Kardiologjisë dhe mjekësisë Interne në Duisburg të Gjermanisë, një qytet me rreth 500 mijë banorë. Edhe ai si kolegë e tij gjermanë është vijën e parë të personelit për të përballuar me sukses situatën e krijuar nga Coronavirusi.

Si paraqitet aktualisht situata në Gjermani, shifrat nga Instituti Robert Koch duken optimiste. Çfarë do të thotë kjo? Shumë ekspertë thonë se norma relativisht e ulët e vdekjeve vjen si rezultat i testimeve të shumta. Kanë të drejtë këta ekspertë?
Besmir Elmazi: Situata aktuale në Gjermani vazhdon të paraqitet e tensionuar duke parë numrin gjithmonë e ne rritje te personave te prekur nga Covid-19. Sipas Universitetit Johns Hopkinsdhe Instituti Robert Koch vendi regjistron aktualisht mbi 112000 infeksione të konfirmuara duke u renditur në këtë mënyrë në vendin e pestë në Botë mbrapa Shteteve të Bashkuara, Italisë, Spanjës dhe Francës.
Por me rreth 2300 vdekje, shkalla e vdekshmërisë në Gjermani vazhdon të jetë diku 1,8-2,1% krahasuar me 12 % në Itali, rreth 10% në Spanjë, Francë dhe Britani, 4% në Kinë. Mendoj se janë disa faktorë të cilët ndikojnë që Gjermania aktualisht të paraqitet me këto shifra: mosha mesatare e të prekurve, testimi i hershëm dhe ndjekja e pacientëve, sistemi shëndetësor, masat e marra nga shteti gjerman,etje. Mosha mesatare e të infektuarve në Gjermani është më e ulët se shume vendeve të tjera. Shumë nga pacientët e parë të prekur ishin relativisht të rinj dhe të shëndetshëm, por këta ishin persona te cilët në fillim të shkurtit ndodheshin për pushime dimërore në Austri dhe në Itali. Gjithçka filloi si “epidemi e skiatoreve”. Ndërkohë që infeksionet vazhdonin të përhapeshin, më shumë njerëz të moshuar filluan të preken dhe numri i vdekjeve filloi të rritet. Por mosha mesatare e sëmundjes mbetet relativisht e ulët aktualisht 49 vjeç. Në Francë është 62.5 dhe në Itali 62, sipas raporteve të tyre të fundit kombëtare.
Një shpjegim tjetër për shkallën e ulët të vdekshmërisë është se Gjermania ka testuar shumë më tepër njerëz sesa shumica e vendeve të tjera, që do të thotë se ka kapur më shume njerëz më pak ose aspak simptoma të Coronavirusit, duke rritur numrin e rasteve të njohura. Në mes të janarit, shumë kohë para se shumica e gjermanëve të kishin njohuri për virusin, spitali universitar Charité në Berlin kishte zhvilluar tashme një test dhe e postoi formulën në internet.
Në kohën kur Gjermania regjistroi rastin e parë të Covid-19 në shkurt, laboratorët në të gjithë vendin kishin tashmë testin në dispozicion. Arsyeja pse ne në Gjermani kemi kaq pak vdekje në këtë moment krahasuar me numrin e të infektuarve mund shpjegohet kryesisht me faktin se këtu po bëhet një numër jashtëzakonisht i madh i testimeve. Deri më tani në Gjermania po kryen rreth 350,000 teste të Coronavirusit në javë, shumë më tepër se çdo vend tjetër evropian.
Testimi i hershëm dhe i përhapur i ka lejuar autoriteteve të ngadalësojnë përhapjen e pandemisë duke izoluar rastet e diagnostifikuara. Testimi gjithashtu ka bërë të mundur që trajtimi të administrohet në një mënyrë më të shpejtë. Kur kemi një diagnozë të hershme dhe mund t’i trajtojmë pacientët herët – për shembull t’i vendosesh ata në një ventilator para se gjendja e tyre shëndetësore të përkeqësohet – shansi për të mbijetuar është shumë më i lartë!
Ndjekja e pacientëve të prekur ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm, testimi dhe ndjekja është strategjia që ishte e suksesshme në Korenë e Jugut dhe Gjermania është përpjekur ta kopjojë këtë strategji.
Personeli mjekësor, në rrezik të veçantë për t’u prekur nga virusi, testohet rregullisht. Në fund të muajit prill, autoritetet shëndetësore planifikojnë gjithashtu të kryejnë një studim në shkallë të gjerë të antitrupave për të vlerësuar se ku po ndërtohet imuniteti. Por ka edhe faktorë të rëndësishëm mjekësorë që e kanë mbajtur numrin e vdekjeve në Gjermani relativisht të ulet, nder ta dhe trajtimi i hershëm ne Klinikat e terapisë intensive, kujdesi dhe masat e marra nga shteti gjerman, udhëzimet për distancimin social- shoqëror të cilat janë respektuar gjerësisht.

COVID-19 kryesisht shkakton sëmundje në rrugët e frymëmarrjes. Madje kush preket duket sikur identifikohet me Intubimin që konsiderohet si një nga fazat më kritike të përkeqësimit. Çfarë ndodh konkretisht tek pacienti?
Besmir Elmazi: Secili pacient i prekur paraqet rast në vete dhe trajtohet sipas mënyrës më të mirë të mundshme. Disa prej të prekurve paraqiten pa asnjë simptomë, disa kanë simptoma të lehtë të një infeksioni gripal si temperaturë, kollë të thatë, dhimbje të kyçeve dhe muskujve deri në rastet më të veshtia kur virusi prek dhe mushkëritë dhe fillon të krijojë vështirësi të shprehura të frymëmarrjes. Zakonisht pacientët e grupi të parë trajtohen me terapi simptomatik e cila në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për një trajtim spitalor. Grupi i dytë merren në spital dhe monitorohet ecuria e tyre, në momentin që shikohet se gjendja vjen gjithmonë duke u vështirësuar dhe duke mos lejuar që të arrijë deri në pikën kritike ku atëherë merret vendimi për Intubacion dhe kjo nuk ka të bëjë fare me moshën e pacientit, intubohen si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit. Personat me sëmundje kronike, pacientët që vuajnë nga kanceri të cilët mund të jenë në nchemotherapie janë gjithmonë grupi më i rrezikuar për të përfunduar në Intubacion. Pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore ata mund të Extubohen dhe të marrin terapi oksigjenimi vetëm nëpërmjet një maske të thjeshtë oksigjeni.

Sa të rrezikuar ndjehen njerëzit që kanë probleme shëndetësore si p.sh: ata që kanë probleme kardiologjike, apo vuajnë nga kanceri, diabeti apo hypertensioni?
Besmir Elmazi: Personat me sëmundje kronike, pacientët me kancer të cilët ndjekin edhe chemotherapie dhe ku sistemi i tyre imunitar është i dobësuar janë gjithmonë grupi më i rrezikuar për tu prekur. Për sa i përket sëmundjeve në veçanti për momentin ka shume hipoteza dhe studime të cilat mundohen të shpjegojnë ndërveprimet e mundshme. Për shembull para pak kohësh në fushën e kardiologjisë është diskutuar për disa lloje medikamentesh siç janë bllokuesit e enzimes ACE ose ARB të cilët përdoren për trajtimin e hypertensionit, duke u bazuar në faktin se me marrjen e këtyre medikamenteve rritet numri i receptorëve për Covid-19, por për momentin asgjë nuk është plotësisht e konfirmuar, kështu që pacientët nuk mund të heqin dorë menjëherë nga ky grup medikamentesh pa u konsultuar njëherë me mjekun kardiolog. Sipas të dhënave të fundit edhe për diabetikët të cilët kanë vlera të kontrolluara të glukozës nuk mund të themi se hyjnë në grupin e më të rrezikuarve. Situata ndryshon tek pacientët hemato-onkologjik, duke marrë parasysh imunitetin e tyre të dobësuar, prandaj ky grup pacientësh duhet të bëjë më shumë kujdes në këtë kohë pandemie.

Ju keni tashmë përvojë të gjatë si mjek dhe e njihni mirë situatën në Gjermani. Si ishte organizimi nga ana e sistemit shëndetësor për t’ju përgjigjur sa më shpejt kësaj krize? Po lidhur me përpjekjet e shkencëtarëve gjermanë për medikamentet përkatëse kundër Corones dhe po ashtu lidhur me vaksinën?
Besmir Elmazi: Qysh prej fillimit të kësaj Pandemie sistemi shëndetësor dhe spitalet në Gjermani patën një mobilizim dhe përgatitje të jashtëzakonshme, si në personel ashtu dhe në masat e trajtimit të pacienteve të prekur. Gjithçka filloi duke anuluar operacionet dhe pranimet e planifikuara me të vetmin qellim që ne të kemi sa më shumë shtretër në dispozicion për pacientet me Covid-19. Një rol të rëndësishëm në këtë pjesë luajnë edhe qendrat e shumta ambulatore, të cilat u krijuan jashtë ambienteve spitalore. Janë pikërisht këto qendra të cilat kanë kontaktin e parë me personat e dyshuar për një infeksion nga Covid-19, janë kolegët në këto qendra të cilët vendosin se cili pacient mund të trajtohet në kushte shtëpiakë dhe cili ka nevojë për t’u hospitalizuar. Në këtë mënyrë shmanget edhe dyndja e pacientëve nëpër spitale dhe kontakti i personave të infektuar me pacientët kronikë, të cilët tashmë ndodhen nëpër spitale ku u krijuan pavione të veçanta që trajtojnë vetëm pacientët me Covid-19. Për sa i përket përpjekjeve të shkencëtareve për prodhimin e vaksinës kjo akoma mbetet e paqartë. Shumë koncerne farmaceutike në Gjermani por edhe në të gjithë boten po punojnë me një intensitet të lartë për të gjetur një trajtim sa më shpejt të jetë e mundur, po aktualisht nuk ka asnjë gjë konkrete. Po provohen disa medikamente të ndryshme të cilat mund të kenë efekte në trajtimin e infeksionit, vetëm mbetet për t’u parë rezultatet. Janë pikërisht masat e marra të vetizolimit, shmangies së kontakteve mes njerëzve, higjienës personale si faktorë kryesorë që do të ndikonin në fitimin e kohës, e cila aktualisht është shumë e rëndësishme për shkencëtarët dhe hulumtuesit.

Një studim i Universitetit të Harvardit ka zbuluar se ndotja e ajrit është e lidhur me rritjen e vdekshmërisë nga Coronavirusi? A mund te themi që Gjermania ka qenë me fat në këtë rast?
Besmir Elmazi: Kjo është një pyetje e cila do një përgjigje më të detajuar nga ana e epidemiologëve dhe virologëve, por në qoftë se ky studim është i vërtetuar, pa dyshim që Gjermania në këtë rast ka qenë dhe është e favorizuar.

Gjermania njihet edhe për një sistem shëndetësor mjaft të mirë ose ndër më të mirët në botë. Mos vallë, falë këtij sistemi kemi edhe këto rezultate të rasteve me Coronavirus në Gjermani?
Besmir Elmazi: Padyshim që sistemi shëndetësor gjerman është nga më të konsoliduarit në botë. Javët e fundit spitalet u përpoqën të krijojnë krevate shtesë të kujdesit intensiv deri në 50 për qind me shume se normalisht. Në janar në Gjermani kishte rreth 28,000 shtretër të kujdesit intensiv të pajisur me ventilatorë, ose 34 për 100,000 njerëz në krahasim me 12 të tillë në Itali dhe 7 në Holandë. Deri më tani ka 40-45 000 krevate të kujdesit intensiv në dispozicion dhe në rast nevoje ky numër mundet të rritet akoma. Për momentin ka akoma kapacitete saqë ne po pranojmë pacientë nga Italia, Spanja dhe Franca. Duke parë qe kurba tashme ka filluar disi të rrafshohet dhe koha që duhet për të dyfishuar numrin e infeksioneve është ngadalësuar në rreth tetë ditë dhe nëse në vazhdim vazhdon të ngadalësohet akoma më shumë, po themi midis 12 dhe 14 ditëve mund të shpresojmë që mos të jetë e nevojshme të vihen në përdorim të gjithë respiratorët që aktualisht kemi në dispozicion. Për momentin mund të themi që situata disi është akoma nën kontroll.

Cili është vlerësimi juaj për vendet si Shqipëria, Kosova apo Maqedonia e Veriut në kuadër të strategjisë që qeveritë kanë marrë kundër Coronavirusit?
Besmir Elmazi: Ne edhe pse punojmë dhe jetojmë në Gjermani, ne kemi familjet tona në vendlindje dhe jemi gjithmonë me shpirt në vendlindje duke e ndjekur situatën e krijuar atje. Masat e marra nga autoritet vendase janë për mendimin tim të drejta dhe duhen marrë shumë seriozisht. Ne kemi të bëjmë me një virus deri më tani i panjohur për ne dhe dua ta theksoj që është shumë shume agresiv dhe i rrezikshëm, një virus i cili nuk pyet për moshë. Kjo situatë nuk duhet merret aspak si një shaka ose si e parëndësishme. Duke parë dhe sistemin shëndetësor në vendet tona imagjinoni se në çfarë katastrofe mund të arrihet në rast të një përhapjeje të pakontrolluar të infeksionit, pasi me këtë virus po hasin probleme edhe sistemet shëndetësore më të mira në botë.
Prandaj do t‘ju bëja thirrje të gjithë bashkëkombëseve tanë si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut t’i përmbahen rregullave dhe masave të ndërmarra, të vetizolohen, të shmangin kontaktet me personat e tjerë, veçanërisht me personat me sëmundje kronike dhe të moshuar, të respektojnë distancat kur dalin jashtë, të shmangin dyndjet para dyqaneve, pazareve, bankave. Nuk ka asnjë lloj efekti nëse ke ndenjur gjithë javën brenda dhe në momentin e parë që të jepet mundësia të dalësh jashtë të dyndesh mes turmës. Vetëm në këtë mënyrë mund të izolohet ky virus. Nuk duhet të krijohet panik dhe frikë por duhet me qenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Vetëm të bashkuar dhe të disiplinuar do të dalim nga kjo situatë e krijuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Ruzhdi…