Përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan përvojën e Kosovës në Punëtorinë Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë në Auditim
Më 23-25 qershor 2026, përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) morën pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë, e mbajtur në Stamboll.
Punëtoria u organizua nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në kuadër të aktiviteteve të projekt grupit të EUROSAI-t për zhvillim.
ZKA-ja në këtë punëtori u përfaqësua nga Fitim Haliti, drejtor për Menaxhimin e Cilësisë, Ylber Sadiku, Auditor, dhe Lindita Ajeti, Auditore.
Gjatë punëtorisë, përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan përvojën institucionale në hartimin dhe zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë në Auditim, duke paraqitur progresin e arritur në zhvillimin e politikave dhe procedurave përkatëse, menaxhimin e rreziqeve të cilësisë, monitorimin dhe korrigjimin e sistemit, vlerësimin vjetor të tij, si dhe procesin e Rishikimit të Cilësisë së Angazhimit.
Në prezantim u theksuan gjithashtu rezultatet konkrete të arritura deri më tani, përfshirë miratimin e objektivave të cilësisë, identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të cilësisë, si dhe përcaktimin e prioriteteve për menaxhimin dhe adresimin e tyre.
Diskutimet gjatë punëtorisë konfirmuan se Zyra Kombëtare e Auditimit është njëra ndër institucionet supreme të auditimit që ka avancuar në hartimin e dokumentacionit të nevojshëm sipas kërkesave të ISSAI 140 dhe ka filluar zbatimin praktik të Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë.
Ky progres dëshmon angazhimin e ZKA-së për forcimin e cilësisë së auditimit përmes një qasjeje të bazuar në rrezik dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet supreme të auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Azerbajxhanit, Bosnjë dhe Hercegovinës, Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Malit të Zi, Serbisë, Suedisë, Turqisë dhe Ukrainës.



