Përfundon intervista maratonike e Thaçit në Hagë, nuk deklarohet për media

14 korrik 2020 | 19:15

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe të martën është paraqitur në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ku intervistimi i tij edhe në ditën e dytë zgjati rreth gjashtë orë.

Presidenti Thaçi të martën është larguar nga objekti i Speciales pa deklaruar asgjë për media, por gazetarët që janë të pranishëm atje kanë bërë me dije se intervistimi i tij do të vazhdojë edhe të mërkurën në të njëjtin orar, në orën 13:00.

Presidenti Thaçi, një ditë më parë, pra të hënën, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë ka qëndruar mbi gjashtë orë, e pas daljes nga ajo ka bërë me dije se ka dëgjuar shkëmbimet e teknikaliteteve të ndryshme në mes të avokatit Prosper dhe prokurorëve, të çështjeve sqaruese teknike dhe në të njëjtën kohë edhe ato fillestare, të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Para se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë së Specializuar për intervistim, Thaçi ka thënë për mediat se beson se nga kjo sfidë do të dalë me sukses.

“Sot jam këtu për ta respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim. Asnjëri nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri”, ka thënë Thaçi para gazetarëve teksa dëgjoheshin brohoritjet “UÇK, UÇK” dhe “Thaçi, Thaçi” të dhjetëra protestuesve shqiptarë që protestonin para Speciales kundër ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

Më 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte. Presidenti Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për t’i konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Ballkanit Perendimor vazhdojnë të mbetet jashtë listës së…