Përkujtohen me nderime dëshmorët Visar Hoti dhe Safet Latifi në 27-vjetorin e rënies

18 prill 2026 | 23:38

Në fshatin Ratkoc të Komunës së Rahovecit, janë përkujtuar sot me nderime të larta dëshmorët e kombit Visar M. Hoti dhe Safet L. Latifi, në 27-vjetorin e rënies së tyre heroike.

Homazhet u zhvilluan pranë varrezave të dëshmorëve të lirisë në Ratkoc, si dhe në vendin e rënies së tyre në Bjeshkën e Zatriqit, ku ata sakrifikuan jetën për çlirimin e Kosovës.

Plot 27 vite më parë, gjatë luftimeve të ashpra kundër forcave serbe, Visar Hoti dhe Safet Latifi ranë heroikisht në altarin e atdheut, duke luftuar deri në frymën e fundit për liri.

Në këtë përvjetor, ish-bashkëluftëtari i tyre dhe njëherësh kryetari aktual i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kujtuar me respekt figurën dhe sakrificën e tyre.

“Sot, në 27-vjetorin e rënies heroike, në vendin e rënies së tyre në Bjeshkën e Zatriqit, si dhe në vendlindjen e tyre në Ratkoc, përkujtuam dëshmorët e kombit, Visar Hotin dhe Safet Latifin. Në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë, ata morën armët dhe luftuan kundër pushtuesit serb deri në fund”, ka shkruar Latifi.

Ai ka theksuar se të dy dëshmorët ishin pjesë e veprimtarisë çlirimtare në kuadër të LKÇK-së, në një periudhë të rëndë për vendin, kur lufta e armatosur ishte e vetmja rrugë drejt lirisë.

Sipas tij, Visar Hoti dhe Safet Latifi ishin luftëtarë të dëshmuar të Batalionit të III-të të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të UÇK-së, ndërsa veprimtaria e tyre u kurorëzua me rënien heroike më 18 prill 1999 në betejën e Zatriqit.

“Sakrifica dhe veprimtaria e tyre mbeten burim frymëzimi për të gjithë ne. Ato na kujtojnë se liria nuk fitohet pa sakrificë dhe se vetëm me përkushtim mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën”, është shprehur ai.

Në fund, Latifi ka bërë thirrje për nderim të përhershëm ndaj dëshmorëve:
“Lavdi e përjetshme Visarit, Safetit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
RTKLive/ Skuadra e Pejës ka siguruar plasmanin në gjysmëfinale të…