Përkujtohet në 1 vjetorin e vdekjes Blerim Zhabari, ish ushtar i UÇK-së

06 korrik 2022 | 20:46

Sot në qendrën e kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri është mbajtur akademi përkujtimore në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Blerim Zhabari, i cili ishte edhe bashkëthemelues i portalit Veriu.info.

Në praninë e familjes, miqve dhe bashkëpuntorëve është nderuar jeta dhe vepra e atdhetarit Blerim Zhabari, i cili në moshë të re kishte lënë Zvicrën për t’iu bashkuar organizmeve ushtarake të UÇK-së kundër okupatorit serb.

Në prani të shumë njerëzve kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vlerësuar lartë veprimtarinë e Blerim Zhabarit.

“Blerimi la vlera të mëdha atdhetare, humane dhe intelektuale. Sot ndajmë dhimbjen për humbjen e Blerimit, por edhe krenar pasi ai si i ri iu bashkua radhëve të UÇK-së. Blerimin fillimisht e njoha në kohën e luftës, kurse pas luftës e vazhdoi veprimtarinë publike e politike” – tha kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Fjalë rasti mbajti edhe shoku i luftës së Blerim Zhabarit, Valon Murati, të cilët u njohën në kohën më të vështirë të robërimit.

“Blerimi zgjodhi jetën që tejkalon vetveten dhe familjen, duke e vënë jetën në shërbim të popullit per çlirim nga okupatori. Blerimi u inkuadrua në ilegale në vitin 1993 me bindjen se rrugë tjetër përveç luftës nuk ka për çlirimin e Kosovës.” – tha Valon Murati.

Ai ndër të tjera tha se bashkë me Blerimin ishin optimist të papërmirësueshëm, duke pasur bindjen se UÇK do të ngritej si Feniksi.

Murati vlerësoi figurën e Blerimit edhe pas luftës duke theksuar se ai mbeti gjithmonë i njëjtë, i drejt e i pathyeshëm.

Në emër të kolegjiumit zyrtarëve të informimit foli Ali Topalli, bashkëpunëtor i zellshëm i Blerim Zhabarit.

“Blerimi ishte shok e mik i dashur, veprimtar e besnik i idealeve të lirisë.
Ai ishte personalitet i rrallë i vlerave të rangut kombëtar” – theksoi Topalli.

Topalli ndau mirënjohje për jetën veprën dhe punën e Blerimit të cilën e pranoi gruaja e Blerimit, Kumrija bashkë me dy djemtë e saj.

Po ashtu kujtimet e rrugëtimit të përbashkët i ndau edhe miku i tij Pleurat Kabashi, i cili ndau disa nga momentet e përbashkëta me Blerimin.

Blerim Zhabari – Driton gjithë jetën ja kushtoi punës për atdhe dhe çlirim, që në kohën e luftës mbante nofkën Dritoni.

Në emër të familjes një fjalë rasti mbajti vëllai i Blerimit, Ilir Zhabari i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për nderimin e figurës së Blerimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e…