Përleshje mes disa të rinjve në Prishtinë, theren me thikë dy persona

17 shkurt 2024 | 16:48

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.

Një rast i tillë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘Luan Haradinaj’, ku si pasojë e një përleshjeje, dy persona janë therur me thikë.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se dy viktimat janë dërguar atje për ndihmë mjekësore, si pasojë e plagëve që dyshohet se morën nga goditjet me thikë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e dy 20-vjeçarëve është stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu tretman mjekësor kanë marrë edhe tre personat tjerë që u përfshinë në rrahje.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë shoqëruar të dyshuarit në stacion policor.

Burimet e Sinjalit njoftojnë se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, ku pas një konflikti në trafik, ka plasur sherri edhe fizik, me ç’rast janë përdorur edhe mjetet e mprehta.

Të dyshuarit kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së  Fjalim i…