Përndjekësi

10 gusht 2020 | 09:38

Aziz Mustafa

Kishte një vit e disa muaj që më kishte përndjekur një pacient. Kur ishte vizituar herën e parë më ishte dukur normal: burrë i ri, tridhjetë vjeç, i pamartuar, i punësuar në një firmë avokatie. Kishte një hundë me një kurriz paksa të theksuar, ankohej për frymëmarrje dhe nxënie të hundëve. Pra, dëshironte ta ndryshonte pamjen e hundës. Me një fjalë, të bënte rinoplastikë. Është në modë kohën e fundit. Unë nuk kisha shumë përvojë në operimet e tilla. Dorën në zemër, unë isha shumë më i përgatitur për operacione të veshit, qoftë të veshit të mesëm, qoftë të veshit të brendshëm, duke futur këtu edhe implantet kokleare. Ishte një kënaqësi shumë e madhe, sidomos kur kryeje një operim të implantit. Fëmijë dy e tre vjeç që nuk kishin dëgjuar deri atëherë, për herë të parë e dëgjonin zërin e nënës së vet, zërat plot dashuri të më të dashurve të tyre kur i thërrisnin. Kur e dije se ishe ti personi kryesor që me mjeshtërinë tënde të operimit ua kishe vendosur një elektrodë në veshin e brendshëm dhe ai fëmijë dhe familja e tij do ta mbante mend përherë emrin tënd, nuk kishte kënaqësi më të madhe. Nuk kisha përvojë të gjatë në operime të hundës, por këto operime paguheshin shumë. Edhe pse s’kisha shumë përvojë, kisha shumë nevojë për para dhe për të mësuar të operoj. Kështu që, vendosa ta operoja pacientin me ndihmën e një kolegu, kurse përgjegjësinë për rezultatin do ta mbaja vetëm unë.

Ditën e operacionit, kolegu im, Mesut quhet, dr. Mesuti, nuk u duk në sallë. Kishte qenë me një barkqitje të keqe dhe nuk kishte mundur fare të dilte në punë. Pacienti, Demir e ka emrin, iu harroftë emri, ishte në sallë dhe kishte ardhur i përgatitur. Ekipi, po ashtu. U mendova gjatë, ta shtyja, të mos e shtyja, ta shtyja të mos e shtyja dhe vendosa ta kryeja operimin pa ndihmën e askujt. Bëra operacion nja katër orë të mira. Më në fund, e kreva disi.

Pas katër ditësh, kur i hoqa tamponët nga hunda e tij, pashë se perdja e hundës kishte mbetur pak anash për shkak të tamponadës së bërë. Por, pacienti nuk e vërente, merrte frymë më mirë dhe ishte i kënaqur. Kur erdhi pas tetë ditësh ta hiqte maskën, pashë se edhe pjesët e pasme të septumit ishin të shqyera, të perforuara, si i themi në gjuhën mjekësore. Ky ishte një komplikim i shpeshtë në operacionet e perdes së hundës, por unë nuk i kisha treguar pacientit, disi nuk kishim pasur kohë të bisedonim gjerësisht rreth komplikimeve të mundshme. Pacienti kishte nënshkruar një fletëpëlqim për operimin, në të cilën përmendeshin gabimet dhe komplikimet e mundshme.

Pos vrimës në septin nazal, pacientit i kishte mbetur edhe një asimetri në hundë. Këtu filloi pakënaqësia e tij. “E sheh doktor, është shtrembër. Po duket. Edhe e fejuara ma vërejti. Sa herë e shoh veten në pasqyrë, vërehet”. Si duket ai shikohej shpesh në pasqyrë. Nuk e kisha menduar se kishte tipa narcisoidë që, sado mirë t’i kishe operuar, mbeten të pakënaqur. Por, tani ishte vonë për ta hulumtuar profilin psikologjik të tij. Këtë hulumtim duhej ta bëja para operacionit.

Demiri, emri iu harroftë, o Allah, filloi të vinte çdo ditë të lume të Zotit në Klinikë! Orar pa orar, termin pa termin. Më përcillte nëpër rrjete sociale. Më ndiqte kur shkoja nëpër ndeja, nëpër restorante. Më thërriste kohë e pa kohë.

Një ditë i thashë se ishte bërë mjaft.

“Po unë nuk jam i kënaqur” – më tha.

“E shoh. Çka të bëjmë?” – e pyeta.

“Nuk di. Ti je mjek. Ti më bëj derman. Kam paguar tridhjetë mijë lira”.

E vërtetë. Ky ishte çmimi i operacionit. Afërsisht.

Aty e kuptova se më kishte hasur sharra në gozhdë. Mallkuar qofsh, o Mesut, që më le në baltë! Ia shpjegova pacientit se nuk mund të bëhej asgjë pa u mbushur një vit nga operimi i parë. Korrigjimi mund të bëhej, do t’ia bënim, unë me ndihmën e dr. Mesutit, por jo pa kaluar një vit. Po ku merrte vesh Demiri. Kuptimi i emrit Demir është hekur. Ky, vërtet, hekur ishte nga koka. Nuk donte të priste, nuk duronte shëmtimin një vit. Donte zgjidhje. Unë e merrja me të mirë, por ai nuk kuptonte.

Si do t’i vinte halli kësaj pune?

Zoti e di.


(Fragment nga romani i Aziz Mustafës, “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë orëve të natës Këshilli i Ministrave i qeverisë Conte…