Përpjekjet e para të diplomacisë kosovare në ekzil për të sensibilizuar liderët perëndimorë

19 gusht 2025 | 08:54

Shkruan: Sylë Ukshini

Letra e Nikë Gjeloshit drejtuar Helmut Kohl (1993) në Arkivin Politik të Minstrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Letra e nënshkruar nga Nikë Gjeloshi, në atë kohë zëvendëskryeministër i Qeverisë në ekzil të Kosovës, i është dërguar kancelarit gjerman Helmut Kohl në prill 1993. Dokumenti i takon një periudhe kritike, kur pas shpërbërjes së Jugosllavisë luftërat në Kroaci dhe Bosnje po zhvilloheshin me intensitet, ndërsa Kosova mbetej nën presion të madh ushtarak dhe politik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Përfaqësuesit politikë të Kosovës kërkonin mbështetje ndërkombëtare për çështjen e pavarësisë dhe për ta shmangur shpërthimin e një lufte të re në rajon.
Përmbajtja kryesore
Letra artikulon disa pika themelore:
– Paralajmërimi për rrezikun e konfliktit në Kosovë – Gjeloshi e paraqet situatën si të ngarkuar me rrezik, duke e lidhur paqen e Kosovës me stabilitetin e Evropës.
– Kritika ndaj regjimit të Millosheviqit – theksohet se Serbia po mbante trupa të mëdha ushtarake në Kosovë për të ushtruar presion mbi shqiptarët, duke ndjekur një strategji të destabilizimit rajonal.
– Argumentimi historik dhe juridik – kujtohet vendimi i padrejtë i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) dhe Konferencës së Paqes në Versajë, kur Kosova u nda nga territoret shqiptare, duke theksuar se populli shqiptar kurrë nuk e kishte pranuar këtë ndarje.
– Referenca tek e drejta ndërkombëtare dhe parimet e vetëvendosjes – Gjeloshi e lidh kauzën kosovare me parimet e reja të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë, duke përmendur referendumin e vitit 1991 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 si shprehje të vullnetit demokratik.
– Apel për mbështetje gjermane dhe perëndimore – theksohet se Kosova ka potencial njerëzor, burime natyrore dhe vullnet demokratik, duke u paraqitur si faktor që do të kontribuonte në paqen rajonale dhe evropiane.
Letra e Gjeloshit ka një vlerë të veçantë si dëshmi e përpjekjeve të diplomacisë kosovare në ekzil për të sensibilizuar liderët perëndimorë. Ajo tregon se elitat politike të Kosovës e perceptonin çështjen jo si një problem të izoluar, por si pjesë e rendit të ri evropian pas Luftës së Ftohtë. Në këtë kuptim, dokumenti reflekton qasjen e lidershipit të atëhershëm ksoovar: kombinimin e legjitimitetit historik me kërkesën për mbështetje ndërkombëtare në bazë të parimeve të demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kadri Kryeziu Nëse e lexojmë me kujdes Aktgjykimin e datës…