Përplasje në Kuvend, Tahiri dhe Haxhiu shkëmbejnë akuza për bashkëpunim me Radoiçiqin

08 shkurt 2024 | 15:32

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Akuzat dhe kundërakuzat kanë nisur në momentin që Tahiri e ka kritikuar pushtetin për pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila është ftuar me kërkesë të Serbisë për çështjen e dinarit.

Ai ka thënë se kjo seancë është kënaqësi e Serbisë sepse përmes saj ata tentojnë të poshtërojnë Kosovën.

“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është me ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për Kosovën sepse aty në radhë të parë për Kosovën flet UNMIK-u, e pastaj flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.  Gjithmonë me synimin me degraduar shtetin e Kosovës, synojnë me pas UNMIK-un të parët”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se në të kaluarën pikërisht për shkak të poshtërimit të Kosovës, ishin dakorduar që në këto mbledhje Kosova të mos përfaqësohej në nivel të lartë.

“Në të kaluarën me partnerët tanë, me ShBA-të dhe partnerët e tjerë që janë anëtarë të përhershme siç janë Britania e Madhe dhe Franca jemi dakorduar që sa më ultë të përfaqësohet Kosova në atë nivel, pra mundësisht mos me shkuar as ministri i jashtëm as kryeministri as presidenti, por me shkuar ambasadori, sepse qëllimi i Serbisë është që Kosova me dalë pas UNMIK-ut. Pra kjo është një kurth e Serbisë dhe ju bini në grackën e tyre”, ka thënë Tahiri,

Tahiri ka akuzuar qeverinë se në tri vjet qeverisje, Kosovës i ka sjellë vetëm sanksione. “Para vitit 2021 kanë ardhur 117 njohje dhe asnjë njohje s’ka ardhur në kohën kur ju qeverisni. E fundit (njohja) ka ardhur prej kryeministri Avdullah Hoti. Ju e udhëhiqni Kosovën me çnjohje. Ju  keni sjell sanksionet ne kemi sjellë 117 njohje”, ka thënë Tahiri.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka ndërhyrë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. “Nuk e pata në plan të flas, por më zgjoi vëmendjen deklarata e Abelardit që tha me neve ka pas njohje e me juve sanksione.  Qytetarët me të drejtë mund të pyesin se pse ka pas sanksione? Ka pas sanksione për shkak se për herë të parë kontrabanduesit, terroristët, kriminelët nuk janë lejuar të veprojnë në veri të vendit tonë siç kanë vepruar në kohën kur keni qeverisur ju”, ka thënë Haxhiu.

Ajo i ka thënë Tahirit se “ju i keni lejuar sjelljet agresive të Serbisë mbi territorin e Kosovës. Nuk është larg mendsh që disa prej qeveritarëve dhe ish-politikanëve kanë bashkëpunuar me kontrabandistë, e keni toleruar Radoiçiqin dhe plotë tororiste tjerë”.

Ministrja ka theksuar se kur Kosova ka treguar dhe ka dëshmuar që nuk do të tolerohen më këta, natyrisht që janë vendosur masat sepse nuk i ka pëlqyer dikujt në këtë rast BE-së.

Pas këtyre akuzave, ka reaguar Abelard Tahiri. “U tuta që s’pe merr fjalën meqenëse kem dytë bashkë në seancë Abulenë. Është e çuditshme të dëgjosh një zyrtar duke thënë se BE-ja na ka vendos sanksione pse ne po vendosim rend dhe ligj”, ka thënë Tahiri.

Në raport me akuzat e Haxhiut, Tahiri ka thënë se e vetmja që bashkëpunon me Milan Radoiçiqin është shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. “Albulenë, në këtë Kuvend vetëm për një njeri e dimë që koordinohet me Radoiçiqin, vetëm për shefen e grupit tuaj parlamentar. Ju, Radoiçiqin e keni pas në dorë e keni parë me dron në kohë reale dhe ai ecke kadal-kadale dhe doli prej Kosove si zotëri. Ju duhet kësaj t’i jepni përgjigje se qysh e lejuat Radoiçiqin me dalë pa therë në këmbë prej një akti terrorist që bëri në Kosovë. Ju e keni ditur ku është dhe e keni lejuar të largohet”, ka thënë Tahiri. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja e dashur për publikun, Bora Zemani, iu ka bashkuar…