PËRSE DO E VOTOJA MUHAMET KLEMENDIN, NR.11 NË LISTËN E AAK-SË!

03 tetor 19:17

Shkruan: Bedri Islami

Duke parë listat e partive të ndryshme politike në Kosovë për deputetët e mundshëm të parlamentit të ardhshëm të Kosovës, papritmas, sytë më zunë një emër të njohur.

Është ndoshta nga më të hershmit si pjesë e lëvizjes çlirimtare. Në kohra dhe vite të ndryshme kemi pasur afërsi me njëri tjetrin, por edhe largësi të habitshme; kemi pasur raste kur jemi kuptuar krejt mirë me njëri tjetrin, por edhe raste të tjera kur as i jemi afruar mendimit të shoshoqit; disa gjëra ende i përceptojmë ndryshe dhe kjo nuk ka të bëjë me atë që dua të shkruaj.

Mosmarrëveshjet me të, kanë qenë për mua, më të vlefshme se sa marrëveshjet me shumë të tjerë:

Në jetë, sidomos në atë pjesë jete, mbushur me tension dhe e paparashikuar nga rreziqet, ndodh që të kesh përplasje, moskuptim apo përceptime të ndryshme, veçanërisht kur je pjesë e një lëvizje klandestine çlirimtare. Ndodh që mendimet e përplasura të mos kenë haësirën e duhur për të gjetur një mesore të artë, por kjo, sado që të jetë e përfytyruar si një ndasi, mund të sjellë edhe të kundërtën e saj, pra, të ketë një zhvillim të ri, ndoshta më të frytshëm dhe më të gjetur.

Përceptimi për luftën çlirimtare, mes Njeriut që propozoj të jetë në deputetët e ardhshëm të Kosovës dhe meje , ashtu si ka pasur të përbashktat, ka pasur veçantitë. Herë herë jemi kuptuar dhe herë të tjera jemi larguar; ka pasur raste që kam shkruar kundër mendimeve të tij, ashtu si edhe ai ka shkruar kundër përceptimeve të mija.

Por, tri gjëra nuk ia mohoj dot kurrë:

1.-ai është një njeri i ndershëm, që, po ashtu, ndershmërisht, ka luftuar për të ardhmen e Kosovës. Përpjekjet e tij kanë qenë në shumë vite, atëherë kur askush nuk e mendonte se liria e Kosovës do ë vinte pikërisht nga guximi i një grupi ëndërrimtarësh vizionarë, të cilët e shihnin të ardhmen, jo vetëm përmes bisedave akademike, por edhe përmes luftës.

Duke parë pjesë të ditarit tim nga koha e veprimtarisë ilegale, rishikova, pas kaq shumë viteve, se kishte qenë pikërisht ai që më kishte propozuar për drejtues të Organizatës dhe drejtues të Komisionit të veçantë , të ngritur asaj kohe.

ndershmërisht ai ka punuar deri kësaj dite dhe kjo nuk ka të bëjë me polemikat mes nesh. Ai ishte njëri ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe jam i bindur se nuk është shkëputur nga idetë e saj.

2.Ai është njeri i ditur. Ka qenë ndër më të përgatiturit në Organizatë. Autor librash, por edhe teoricien. Njeri i polemikës dhe politolog i shkallës së lartë.

Në ditët e fundit të luftës, kur Hashim Thaçi ishte emëruar si kryeministër i Qeverisë së Prkohshme të Kosovës, ne u takuam në afërsi të brukselit dhe diskutuam pikërisht për ndërtimin e kësaj qeverie, në të cilën do të bënin pjesë edhe disa nga shokët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatës themeluese të UÇK-së, drejtuese politike e saj, ku kishte qenë pjesë edhe Hashim Thaçi, por edhe Muhamet Kelmendi.

Thaçi më tha se kishte ndër mend që postin e ministrit të drejtësisë të ia afronte Muhamet Kelmendit.

Ngrita kokën dhe e pash me vemendje. Muhamet kelmendi kishte qenë, edhe në organizatë, njëri ndër kundërshtarët kryesorë të Thaçit, kishte pasur përplasje mes tyre, vendi kishte qenë i ngushtë për të dy njëherësh dhe njëri ishte larguar.

Megjithatë, ai ia dinte vlerat.

3.Ai i duhet Kosovës. Për shumë gjëra dhe shumë vlera. Në këtë kohë të turbullt, mbushur me përplasje dhe pasiguri të së ardhmes, kur në rradhët e parlamentit mund të jenë edhe shumë nga ata që ende nuk e kanë mbajtur mbi shpatulla të shkuarën, kur mësimet e historisë nëpërkëmbëhen dhe mjaft vetë mendojnë se vetë ajo, historia, ka filluar prej tyre, prania e një njeriu të mçnçur, me përvojë, politolog, kaluar në një periudhë më shumë se 40 vjeçare në politikë, gjysma e të cilave në klandestinitet, është e domosdoshme.

Këto kisha për të thënë.

Kam 20 vite që nuk jam takuar me të dhe polemikat që kemi bërë në distancë nuk na kanë afruar, ata kanë bërë që mendimet të ftillohen, të kemi dy fushëpamje,çka është më mirë se një e vetme.

Kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi polemika të tjera, në të ardhmen.

Por, nuk më pengojnë të afroj mendimin tim për vlerat e tij në parlamentin e Kosovës.

Në rradhët e AAK-së, drejtuar nga një mik tjetër i vyer i imi, Ramush Haredinaj, ai mbetet vlerë e vyer dhe e përkushtuar.

E së fundi: po të isha në Kosovë do të kisha votuar për PDK-në…në të cilën kam kam qenë pjesë themeluese dhe ku janë miqtë e mi. E jo vetëm për këtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga PDK-ja Bajrush Xhemaili, së bashku me…