“Personin që e rivarrosa më dilte në tavolinë”- Historia emocionuese e varrmihësit nga Ferizaj

01 maj 2024 | 20:29

Pasojat e ditës së parë të punës i vuajti për një kohë të gjatë.

Si varrë hapës, apo ashtu sic njihet në terminologji, si varrmihës, e që thënë të drejtën është pozitë pune sa e vështirë, aq edhe e rrallë, Nexhmedin Dashi, e ushtron që një kohë shumë të gjatë.

Madje, siç thotë ai në rrëfimin e tij, “gjysën e jetës e kalova tu hap varre”.

Në ditën e puntorëve, për 1 maj, kur edhe po transmetohet rrëfimi i 50 vjeçarit nga qyteti i Ferizajt, ai zgjodhi që të kujtojë në njërën anë sfidat e punës, e në anën tjetër të mërzitet për faktin që të rinjtë po ikin nga vendi dhe nuk do të ketë kandidatë të tjerë të cilët do ta plotësojnë këtë vend pune kur ai mos të jetë në gjendje të punojë më.

Dashi, pret e përcjell familjarë, shoqëri e qytetarë të qytetit të Ferizajt, të cilën vinë në ceremoninë e varrimit për personin e vdekur dhe kësisoj, ai bartë dhimbjen e secilit, pa i patur as në farë e as në fis.

Duron lotët e secilit, bashkëndjen me cdo njeri aty dhe kjo padyshim se Dashin e rëndon si fizikisht ashtu edhe emocionalisht.

Siç thotë varrë hapësi “dhimbjen më të madhe e ndjej kur e lëshoj trupin e vdekur në varr”.

Gjatë rrëfimit të tij, Dashi duke e pasur një punë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe një përgjegjësi ndaj të gjithë atyre familjarëve me të cilët punon vazhdimisht, e kishte me vështirësi që ta shpjegonte punën në detaje.

Madje, ai thekson faktin se jo çdo kush mund ta bëjë një punë të tillë.

Sipas tij, një varrmihës duhet të jetë i fortë emocionalisht, duhet të ketë forcë fizike dhe të jetë person i durueshëm, përndryshe, sic thotë Dashi, nuk mund ta përballoj punën.

Halli i tij është vazhdimësia e vendit të tij të punës. Dashi shqetësohet për faktin se nuk ka të tjerë të cilët duan që ta vazhdojnë punën që ai bën.

Duke i kujtuar vitet që po lënë pas, Dashi dhe kolegu i tij, thonë se po plaken dhe se edhe gjatë nuk mund ta ushtrojnë këtë detyrë. Kësisoj, frikësohen se vendet do të mbeten të zbrazëta dhe familjarët do të hasin në problem gjatë varrimit.

Qe 30 vjet, Dashi ka varrosur e rivarrosur shumë trupa mirëpo një mbetet rasti i parë, ai i cili nuk i shkoqitet nga kujtesa.

Si i ri në atë pozitë, Dashit iu kërkua që të rivarroste një trup i cili vecse ishte i varrosur dhe atë imazh, atë përvojë, ferizajasi thotë se e përjetoi shumë keq.

Kjo ngase pamja të cilën e kishte të vulosur në kujtesë iu shfaqte në pjesë të ndryshme të ditës. Madje kishte raste kur edhe i dilte në anën tjetër të tavolinës.

Me barrën e madhe të varrimeve, pas orarit të gjatë të punës, 50 vjecari kthehet cdo ditë në shtëpi te familja, ku me cdo qelizë të tij, mundohet që energjinë e punës, dhimbjen, ndodhitë, mos t’i bartë te më të dashurit e tij.

Kjo sipas tij jo gjithmonë arrihet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zv/kryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se është takuar me parlamentarë…