Përurimi i parkut industrial, Kurti: Më shumë mundësi për të rinjtë në vend se t’i kërkojnë ato jashtë

19 dhjetor 2023 | 13:00

Është inauguruar Parku Industrial në Budrikë të Vitisë, e cila do të jetë funksionale për bizneset e Vitisë me rrethinë. Vlera e këtij investimi kap shifrën e 1.7 milion euro.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky park do të jep një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se investimi kapital prej 1.7 milion euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në hapësirë prej 15.5 hektarë në Komunën e Vitisë, do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve nga diaspora dhe investime të huaja. “Do të nxisë veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar, do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe transformimit progresist të vendit tonë. Si dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, me hapjen e këtij parku të rinjtë do të kenë më shumë mundësi të reja për punësim në vend.

“Të rinjtë tanë do të kenë më shumë mundësi të reja në vend më përpara, e në vend se t’i kërkojnë ato jashtë vendit. E këtë hapësirë që po e inaugurojmë sot do ta gëzojnë së shpejti përmes thirrjeve publike rreth 30 biznese. Në tre vitet e ardhshme do të investojmë edhe 33 milionë euro për ndërtimin parqeve të reja industriale, përmes tyre po ofrojmë hapësirë shtesë për biznese dhe po nxisim edhe më shumë ndërmarrësinë, parakushte këto për punësim, zhvillim e transformim”, ka thënë Kurti, duke shtuar se “me qeverisjen tonë të deritanishme qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet gjatë periudhës janar – tetor 2023, pra sivjet. Ai ka arritur vlerën prej 15.83 miliardë euro apo gati 7 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se kjo zonë do të bëhet tërheqëse për investimet të përgjegjshme dhe nga diaspora.

Në anën tjetër, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, për këtë park nuk ka lënë pa i falënderuar edhe ish-kryeministrat e ish-ministrat. Ai pret që ky park “të lulëzojë me biznese të reja”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sabedin Beqiri nga fshati Prekaz i Epërm, komuna e Skenderajt,…