Përurohet libri me poezi i Iliriane Baraliu-Lladrovci “Këngët e shekullit kallkan”

13 qershor 2023 | 21:15

Nën përkujdesjen e kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, në Biblotekën e qytetit “Hajdin Berisha”, u bë përurimi i librit të parë të znj. Iliriane Baraliu – Lladrovci, “Këngët e shekullit kallkan”.

Në një atmosferë shumë të këndshme e krijuar nga prania e madhe e qytetarëve në këtë promovim, morën pjesë familjarë të dëshmorëve e veteranë të UÇK-së, kryetari i Suharekës, z. Bali Muharremaj, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, familjarë të znj. Baraliu – Lladrovci dhe miq të fjalës së shkruar.

Kryetari Bali Muharremaj e hapi këtë event kulturor, duke theksuar vlerën e familjes Baraliu, vlerën e ditës që po promovohej – përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, si ngjarje e cila bëri kthesë në vetëdijen politike e historike të shqiptarëve, para 145 vjetëve.

Për librin folën redaktori, z. Arben Veselaj dhe recenzenti i librit, z. Adem Gashi, të cilët vlerësuan lartë artin poetik të znj. Iliriane Baraliu Lladrovcit, si libër i parë, por, me cilësi të lartë dhe nivel të lakmueshëm poetik.

Në fjalën e saj, znj. Iliriane Baraliu Lladrovci, ka shpjeguar motivet që e shtynë për të hedhur në letër idetë dhe emocionet e saj, për të përjetësuar momentet e rënda nga koha e okupimit, dhimbjen dhe qëndresën, të përshkruara me vargje plotë përkushtim.

Libri i kushtohet grave të familjes së poetes që nuk u nënshtruan gjatë burgosjeve që përjetonin burrat e shtëpisë dhe ky presion ushtrohej dhe arrinte edhe te një nxënëse që përjashtohej nga shkolla për shkak të veprimtarisë atdhetare të familjarëve të saj.

Poezitë, u tha në takim, janë poezi të përkushtimit të poetes për popullin shqiptar që asokohe ishte “i ndaluar”.

Poezitë nga libri i lexoi doktoresha Egzona Hyseni, ndërsa programin e begatuan me këngë grupi muzikor “GAM” nga Suhareka.

Organizimet e tilla të promovimit të librit dhe kulturës letrare, janë shembull i mirë i pushtetit lokal për vlerat kulturore, në veçanti të atyre që me ndjeshmëri të lartë, përshkruajnë arrogancën e një pushteti që u largua vetëm pas luftës së lavdishme çlirimtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar kryetarin e…