Përurohet objekti i Qendrës me një ndalesë në Prizren

09 mars 2020 | 15:24

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë përuruar projektin e Qendrës me një Ndalesë (“One Stop Shop”), i cili është realizuar nga ana e Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Administratës Publike që tashmë është e integruar në Ministrinë e Brendshme.

Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Kurti ka thënë se Prizreni është shembull për ofrimin e shërbimeve të shumta në të njëjtën hapësirë, duke ia kursyer qytetarit edhe kohën edhe paratë.

Kryeministri Kurti ka thënë se ky projekt që është realizuar në Prizren, si askund tjetër, është bërë edhe shembull për komunat tjera, por edhe për qeverinë dhe shtetin. Ndërsa kryetari Haskuka ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, duke shtuar se me 56 sportele në katin e parë të administratës komunale do të ofrohen shërbime të shumta për qytetarë, me standarde të larta, në një ambient modern e të digjitalizuar.

Haskuka ka njoftuar se për reformimin e shërbimeve të administratës publike, së bashku me Bankën Botërore dhe IFC-në, është bërë analizimi i 190 shërbimeve publike të ofruara në Komunën e Prizrenit, ku më shumë se 60 për qind të tyre janë thjeshtësuar. Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë periudhës së implementimit të projektit, ku shërbimet  ishin rilokuar në disa pika të tjera.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal Emilija Rexhepi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarët komunalë dhe qytetarë të Prizrenit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka…