Pesë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur nga incidenti në Uiskonsin të ShBA-së

22 nëntor 2021 | 12:17

Pesë persona janë vrarë dhe të paktën 40 janë plagosur, përfshirë shumë fëmijë, kur një veturë ka kaluar nëpër një paradë të Krishtlindjeve në shtetin amerikan të Uiskonsinit, ka njoftuar policia.

Numri i viktimave dhe i të plagosurve mund të jetë më i lartë.

Shefi i policisë lokale, Dan Thompson, ka thënë se një i dyshuar tashmë ishte vendosur në paraburgim pas incidentit në qytetin Uaukesha.

“Në këtë moment, ne mund të konfirmojmë se pesë persona kanë vdekur dhe mbi 40 janë lënduar. Megjithatë, shifrat mund të ndryshojnë derisa po marrim më shumë informacione. Shumë njerëz janë vetëtransportuar në spitalet e rajonit”, ka njoftuar Departamenti i Policisë së Uiskonsinit.

Pamjet e postuara në internet kanë treguar një veturë të kuqe duke lëvizur nëpër paradën e Krishtlindjeve më 21 nëntor pasdite.

Videot kanë treguar disa qytetarë që nxitonin për të ndihmuar viktimat e plagosura, ndërsa në sfond dëgjoheshin britma dhe të qara.

Thompsoni ka thënë se nuk ishte e qartë nëse incidenti kishte “lidhje me terrorizmin”.

I dyshuari dukej se ishte duke ikur nga një vend tjetër kur u përplas me njerëzit në paradë, ka thënë për “CBS News” një zyrtar i sigurisë i njohur me hetimet.

Policia ka qëlluar në drejtim të makinës në përpjekje për ta ndaluar atë.

Departamenti i policisë së qytetit më vonë ka thënë se shkollat publike të Uaukesha do të mbylleshin të hënën.

Për kryebashkiakun e Uaukesha, Shawn Reilly, kjo është një kohë “traumatike” për qytetin. “Zemra ime është për të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i pakuptimtë”, ka thënë ai.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, është njoftuar menjëherë për incidentin.

“Shtëpia e Bardhë po monitoron nga afër situatën në Vaukesha dhe zemrat tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident i tmerrshëm. Ne kemi kontaktuar me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për të ofruar çdo mbështetje dhe ndihmë sipas nevojës”, ka thënë ky zyrtar.

Incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Në vitin 2015, katër persona u vranë dhe 46 u plagosën në Stilluater, të Oklahomas, pasi një grua kishte hyrë me makinë në një turmë ndërsa në vitin 2016, një kamion ishte futur qëllimisht në një treg Krishtlindjesh në Berlin, duke vrarë 12 persona. Sulmi në Berlin ishte i lidhur me grupin terrorist Shtetin Islamik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman…