Pesë zëvendësime edhe në Itali

06 qershor 2020 | 16:15

Pas propozimit të FIFA-s dhe miratimit nga IFAB, edhe Federata Italiane e Futbollit ka vendosur të lejojë aplikimin e 5 zëvendësimeve për skuadër, në ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020, që pritet të startojnë më 13 qershor.

Vendimi është marrë pasditen e sotme pas një mbledhjeje të Këshillit Federal, që ka vendosur të miratojë ndryshimin në rregullore dhe lejimin e kryerjes së 5 zëvendësimeve, por ashtu siç është parashikuar, në vetëm 3 intervale kohore, përveç pushimit mes pjesëve.

Ky rregull do të jetë në fuqi vetëm për ndeshjet e sezonit 2019-2020 dhe më pas gjithçka do të rikthehet si më parë, me vetëm 3 zëvendësime të lejuara, ndërsa shkak i aplikimit të kësaj risie ishte edhe fakti që futbollistët pritet të përballen me një lodhje më të madhe se zakonisht.

Kjo pasi koha për të zhvilluar ndeshjet e mbetura është e shkurtër dhe skuadrat do të duhet të zbresin në fushë çdo tre ditë, ndërsa këtyre u shtohet edhe fakti që pritet të luhet në temperatura shumë të larta.

Në Itali pati disa klube të vogla që u ankuan për lejimin e 5 zëvendësimeve, pasi sipas tyre, kjo rregullore favorizon skuadrat e mëdha, që kanë alternativa të shumta në pankinë dhe mund të freskojnë skuadrën pa humbur aspak cilësi në fushë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka bërë homazhe pranë varrit…