Petkoviqi thotë se vendimi i Kurtit për targat është i paligjshëm dhe i dhunshëm

31 tetor 11:17

Nesër (e martë) pritet që të hyjnë në fuqi masat e reja për targat që janë bërë publike të premten nga Qeveria e Kosovës.

Bëhet fjalë për vendimin e ri të ekzekutivit, për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targat e veturave të serbëve të Kosovës.

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se ky vendim nuk është legjitim dhe se sipas tij nuk është në përputhje me marrëveshjet që janë bërë.

Ai ka thënë për “RTS” se duhet të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare, raporton “Kosovo-Online”.

“Kemi parë njoftime edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli, por duhet të shohim veprime konkrete”, ka thënë Petkoviqi.

Më tutje, Petkoviqi ka thënë se vendimi i Albin Kurtit për riregjistrim është i paligjshëm dhe i dhunshëm.

“Kjo nënkupton që serbët që kanë targa KM tani duhet të riregjistrojnë veturat e tyre me të ashtuquajturat targa RKS. Kjo është absolutisht në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që kemi negociuar në vitin 2011 dhe 2016″, ka thënë Petkoviqi.

Ai ka theksuar se serbët në Kosovë, në radhë të parë në veri, nuk duan targa të tjera.

“Këto janë targa të lëshuara nga Republika e Serbisë, ata nuk duan targa të tjera sepse Kurti, por edhe ata që mbështesin të ashtuquajturën Kosovë të pavarur duhet të kuptojnë se serbët në Kosovë ndjehen si qytetarë të Republikës së Serbisë dhe jo dikush ka të drejtë t’i anulojë targat tona serbe, sepse në fakt është qëllimi dhe plani i vërtetë i Albin Kurtit për ta shtyrë ekzistencën e shtetit të Serbisë jashtë territorit të Kosovës dhe qëllimi përfundimtar është dëbimi i popullit tonë”, ka theksuar Petkoviqi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është mëse e qartë se Cristiano Ronaldo dëshiron të…