Petkoviqi viziton laboratorin e sapondërtuar nga Serbia në Mitrovicë, flet për paqe me shqiptarët

07 dhjetor 2020 | 13:03

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, e ka vizituar laboratorin për teste PCR që Serbia sapo e ka ndërtuar në Mitrovicën e Veriut, e i cili përpunon mostra të testeve të koronavirusit nga të gjitha zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Laboratori i sapondërtuar përpunon deri në 250 mostra në ditë, ndërsa për këtë, Petkoviqi ka falënderuar dy krerët e Serbisë.

“Vetëm të bashkuar dhe të fortë mund të mbrohemi nga ky virus. Falë presidentit Aleksandër Vuçiq dhe kryeministres Ana Bërnabiq, si dhe Zyrës për Kosovë dhe Metohi, ne ishim në gjendje të ndërtojmë këtë laborator PCR, i cili është një nga më modernët në këtë zonë. Ne kemi pajisjet më të mira, kështu që tani të gjitha mostrat nga Kosova dhe Metohija derdhen në këtë laborator, nga ku përpunohen rezultatet, dhe koha është e një rëndësie thelbësore në luftën kundër Covid-19”, ka thënë Petkoviqi.

Ai ka thënë se punësimi i punëtorëve mjekësorë tregon më së miri vëmendjen e shtetit të Serbisë ndaj popullit serb në Kosovë.

“Deri më tani, 83 infermierë dhe 45 mjekë janë punësuar këtu në KBC në Mitrovicë të Veriut, dhe javën e kaluar u shpall një konkurs për 38 infermierë të tjerë. Ne gjithashtu do të ndihmojmë kur bëhet fjalë për blerjen e ambulancave të reja dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme”, ka thënë ai.

Petkoviqi ka thënë nga Mitrovica e Veriut se Serbia dëshiron të ndërtojë një të ardhme, paqe dhe harmoni.

“Kjo është mënyra e vetme që ne mund të mbijetojmë dhe të qëndrojmë këtu në hapësirën tonë shekullore dhe kështu, duke jetuar në paqe me fqinjët tanë shqiptarë, të ndërtojmë paqen dhe prosperitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne jemi thellësisht të bindur se pajtimi historik i popullit serb dhe shqiptar është çelësi i paqes dhe stabiliteti në të gjithë rajonin”, është shprehur Petkoviqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka marrë vendim që të ndajë…