Phoenix në finalen e Perëndimit, Bucks barazojnë serinë ndaj Nets

14 qershor 2021 | 13:57

Phoenix Suns është skuadra e momentit në NBA. Pas eliminoi kampionët në fuqi të Los Angeles Lakers, ekipi nga Arizona likuidoi shumë shpejt edhe Denver Nuggets duke u kualifikuar në finalen e Konferencës së Perëndimit aty ku do të përballet me fituesen e çiftit Utah Jazz- Los Angeles Clippers.

Në “Ball Arena” në Colorado, Phoenix Suns falë paraqitjes së shkëlqyer të dyshes Chris Paul-Davon Booker arriti të triumfonte me rezultatin 125-118 duke mbyllur në 4-0 serinë e përballjeve gjysmëfinale mes tyre. Veterani Paul ishte thjeshtë fantastik në këtë duel me 37 pikë 3 rebound e 7 asistime, ndërkohë që shumë i vyer për skuadrën nga Arizona ishte edhe kontributi i dhënë nga Davon Booker i cili spikati me 34 pikë 11 rebound dhe 7 asistime. 25 pikët e Barton dhe 22 të Jokiq ishin të pamjaftueshme për Nuggets të cilët u dorëzuan pa kushte edhe në këtë sfidë të 4-t ndaj Phoenix duke pësuar kështu një eliminim të turpshëm pa marrë asnjë fitore.

Nuk fali as në ndeshjen e dytë shtëpiake Milwaukee Bucks që barazoi në 2-2 serinë e gjysmëfinaleve të Lindjes ndaj Brooklyn Nets. Në Fiserv Forum skuadra e trajnerit Mike Budenholzer triumfoi me rezultatin 107-96 në një ndeshje ku Milwaukee e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë në të cilat dominoi me lojë dhe rezultat.

Giannis Antetokounmo ishte më i miri i sfidës teksa koleksionoi në total 34 pikë 12 rebound dhe 3 asistime, ndërkohë që te Netsat më i miri mbi parket ishte Kevin Durant autor i 28 pikëve. 4 përballjet e para në serinë mes Bucks dhe Brooklyn janë fituar nga skuadrat vendase, mbetet për t’u parë nëse parketi do të rezultojë deçiziv deri në fund pasi Brooklyn do të luajë një ndeshje më shumë në shtëpi se Milwaukee. /Supersport/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka kërkuar nga Qeveria…