Piraj: Suksesi i biznesit i garantuar kur punëtorët janë të kënaqur

21 janar 2020 | 16:00

Burim Piraj, pronari i fabrikës “Meka” ka deklaruar se suksesi i biznesit është i garantuar vetëm kur punëtorët janë të kënaqur me punën e tyre. Këto komente Piraj i bëri në emisionin e mëngjesit “ Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ku foli për sfidat dhe investimet në prodhimin vendor .

Piraj ka thënë se kompania e përpunimit të mishit “Meka” e ka përmbyllur vitin me sukses të plotë. Ai njoftoi se  gjatë vitit që lamë pas punëtorëve ua ka dhënë pagën e 14-të.  “Me 15 korrik e bëjmë pagesën e pagës së 13-të, ndërsa me 15 janar pagën e 14-të. Kemi zgjerim të prodhimtarisë, të produkteve, të hapësirave prodhuese, të shtimit të numrit të punëtorëve dhe gjithashtu edhe pagesën e pagës se 14-të”, u shpreh  ai.

Piraj tha se premtimin për pagën e 14-të e kishte bërë në bazë të trendëve të shitjes që kishin dhe të shtimit të rritjes së kapaciteteve.“Kam qenë i sigurt se do të arrijmë një gjë të tillë dhe vërtetë ndodhi. Ka qenë produkt i punës së punëtorëve, i rritjes së shitjes ajo e cila neve na ka mundësuar ta paguajmë pagën e 14-të. Ajo është rezultat i punës së punëtorëve, nuk është thjesht një meritë e jona, por është meritë edhe e gjithë stafit. Punëtorët janë falënderues dhe kjo për ta është motiv shtesë”, tha ai.

Piraj  tha se në qoftë se s’janë të kënaqura burimet njerëzore në kompani, atëherë ajo nuk mund të funksionoj si duhet .“Ai tha se shumë rëndësi të madhe ka suksesi i kompanisë me trajtimin e punëtorëve. Kjo lidhet me çështjen e besimit, lidhet me menaxhimin e suksesshëm të kompanisë”, u shpreh ai.

Ai njoftoi se këtë  vit do të dalin edhe me dy produkte të reja, duke shtuar se kanë kërkesa shumë të mëdha për eksport të produkteve të tyre edhe jashtë vendit. “Ende nuk mund të eksportojmë për shkak se Kosova nuk mund të eksportoj produkte me prejardhje shtazore në Evropë. Në moment që Kosovës i jepet drita e gjelbër për të eksportuar këto produkte, ne do të eksportojmë dhe kemi kërkesa shumë të mëdha dhe atëherë mendojmë se do të kemi një punësim të konsideruar të punëtorëve”, ka thënë ai./RTK

Për më shumë ndiqni videon e plotë:

Mysafiri i Mëngjesit – Burim Piraj 21.01.2020

Mysafiri i Mëngjesit – Burim Piraj

Gepostet von RTK am Montag, 20. Januar 2020

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar që të zbardhet marrëveshja për…