Pjetër Shalës i vazhdohet masa e paraburgimit

22 shtator 11:34

Më 21 shtator, ditën që i është transferuar lënda për gjykim trupit gjykues, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka marrë vendim që ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konkludon, për qëllime të shqyrtimit periodik të paraburgimit të z. Shala, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, se rreziqet që z. Shala do të arratiset, pengojë ecurinë e procedurave të DhSK-së, ose kryej  krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe/ose që duhet të paraqiten para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), vazhdojnë të ekzistojnë”, është thënë në vendim e Gjykatës Speciale.

Me anë të vendimit, gjyqtari i procedurës paraprake, po ashtu ka urdhëruar mbrojtjen që nëse dëshiron të parashtrojë shkresa për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Shalës, këtë ta bëjë jo më larg se më 25 tetor, ndërsa përgjigja e prokurorisë duhet të bëhet jo më larg se më 1 nëntor.

Ndryshe, Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur të enjten në…