Plagosja dhe tërheqja e Komandant Bujar Ukimeraj nga istikamet e Vrellës?

13 prill 2024 | 11:34

Një histori e pa dëgjuar deri më sot!

Rrëfim nga Shasivar Haxhijaj

Bujar Ukimeraj, Komandant Ujku, shef i shtabit të Brigadës 133 Adrian Krasniqi, një trim i rrallë.

Me 12 prill 1999 në pozicionet e vendosura nga UÇK në dalje të Fshatit Vrellë, aty ku ishte ndërtuar edhe bunkeri, ai luftoi si një luan i vërtetë.

Atë ditë Komandant Ujku përveç armës së tij personale i përdori po thuajse të gjitha armët (topin, gulinovin, snajperin, pushkomitralozin, kallashnikovin etj), që ishin në dispozicion të Batalionit të II, për ta ndaluar dhe zmbrapsur ofanzivën e forcave serbe të nisur rreth mesit të ditës së 12 prillit.

Lufta e tij ishte prej një strategu ushtarak, një profesionisti të vërtetë, një trimi të rrallë.

Pas shumë orë granatimesh të panumërta e luftimesh të ashpra me forcat serbe, në shumë pjesë të vijes së pozicioneve të vendosura nga UÇK, Komandant Ujku ishte plagosur shumë rëndë.

Atë ditë radhëve të dëshmorëve të kombit iu shtuan edhe 9 luftëtarë të lirisë nga Batalioni i II i Brigadës 133 Adrian Krasniqi.

Me qindra granata e predha të lloj lloj kalibri ranë mbi ne atë ditë, shumë ushtarë të tjerë ishin plagosur para se të plagosej komandant Ujku. Kishte të plagosur edhe tek pika ku vazhdonte betejën Ujku trim.

Pak kohë para se të bie terri i natës së 12 prillit, nga pikat e ashtuquajtura “Derrpa” ku unë isha i vendosur së bashku edhe me 6 shokë tjerë luftëtarë, forcat serbe ishin pozicionuar vetëm disa metra larg nesh, unë vendosa ta dërgoi Xhevdet Sefaj tek pika poshtë, pra tek bunkeri, për të kërkuar ushtarë shtesë, sepse mendoja se duhej përforcuar pika ku ne po luftonim, për ta ndaluar depërtimin e mëtutjeshëm të forcave serbe.

Kur kishte arritur Xhevdeti tek bunkeri, aty kishte gjetur Bujar Ukimeraj, Komandant Ujkun të vetmuar e të plagosur shumë rëndë.

Ai ishte pothuajse i përgjakur në të gjitha pjesët e trupit dhe pothuajse gati pa vetëdije.

Xhevdeti duke i parë plagët e Komandant Ujkut i vetëm fillon ta ndihmoj dhe pas pak kohe ta bartë rrugës për të vetura e tij, që ishte 400-450 metra larg istikameve.

Ndërkohë Xhevdeti më zë të lartë më thërret mua për ta ndihmuar në bartjen e Komandant Ujkut.

Nga zhurmët e granatave dhe të armëve që gjuhej në drejtim tonin, me vështirësi e kuptova se ishte i plagosur Ujku, shpejtë e shpejtë i ripozicionova ushtarët që ishim bashkë dhe me shpejtësi vrapova për ta tërhequr Ujkun.

Kur unë arrita, Xhevdeti kishte bartur Ujkun disa dhjetra metra larg pozicioneve.

Së bashku me Xhevdetin e kapem nga krahët dhe e vendosëm mbi supet tona dhe e bartëm deri tek vetura golf 2 e Ujkut, duke u kujdesur që mos të ja dëmtonim plagët që kishtë marrë.

Meqë unë kisha udhëtuar disa herë me Komandant Ujkun me veturën e tij, gjersa ishim duke e bartur atë e dija shumë mirë sfidën që na priste kur të arrijmë veturën e tij.

Në qendër të Vrellës me një kombi bus për të pritur të plagosurit gjatë tërë ditës ishte i vendosur Eshref Halitaj prej Tomoci.

Për shkak të distancës së madhe, peshës së rëndë dhe plagëve që Ujku kishte, ne duhej ta bartnim atë patjeter me veturë.

Mirëpo vetura e tij nuk ndizej në çelës, për ta ndezur atë duhej ta shtynim deri sa ajo të ndizej.

Ne ishim vetëm 3 ushtar, pra Ujku i plagosur dhe ne të dy. Si të veproja në ato momente, kur çdo gjë kërkonte shpejtësi dhe kujdes për ta shpëtuar Komandantin e plagosur?

Në ato momente e kuptova se vetëm një zgjidhje kishim dhe nëse ajo nuk do të funksionte do të ishim të humbur!

Për ta shpëtuar Komandantin ne e vendosëm në ulësen e vozitësit pikërisht Komandant Ukjkun. Pasi e vendosa kontaktin e veturës dhe ndërruesin e shpejtësive e vendosa në të dytën, unë e Xhevdeti filluam ta shtyjmë veturën. Për fatin tonë të mirë vetura ndezi në pak metra. Ndali veturën Ujku dhe ne iu afruam për ta bartur në ulësen tjetër të veturës e për ta dërguar te kombi busi.

Për çudinë tonë Komandant Ujku nuk pranon të largohet nga ulësja e vozitësit dhe ne të dyve me gjysmë zëri, e me një të folur gati të përgjumur, na urdhëron disa herë me radhë që të kthehemi në pozicione e të vazhdojmë luftën.

Duke e parë se gjendja tij rëndohej çdo herë e më shumë edhe për shkak të gjakderdhjes së madhe që kishte pësuar, unë me çdo kusht insistoja dhe bëja përpjekje që ai të ma liroj vendin e vozitësit për ta dërguar deri në qendër të Vrellës.

Ujku nuk donte të ia dinte fare dhe pas shumë kërkesave të mia, ai filloi ta ngiste veturën në drejtim të Vrellës. Ne filluam ta ndjeknim me vrap nga pas, vetura sa shkonte në njërin skaj të rrugës dhe pak para se të bie nën rrugë, kthehej dhe vazhdonte deri në skajin tjetër, kështu deri sa ne e patëm të pa mundur ta ndiqnim më.

Ne tanimë i ndiqnim nga larg ecajaket e tij sa andej e sa këtej skajeve të rrugës.

Me të arritur në qendër të Fshatit Vrellë, tek trafo e rrymës së fshatit, aty ku e priste kombi busi, Komandant Ujku bie pa vetëdije.

Ai me shpejtësi dërgohet në spitalin ushtarak dhe të nesërmen në bjeshkët e Fshatit Kaliqan, ku falë zotit dhe mjekëve të luftës trajtohet deri në shërim.

Ky është rrëfimi i vetëm i vërtetë për tërheqjen e Bujar Ukimeraj, Komandant ‘Ujkut’ pas plagosjes së tij në istikamet e luftës në Fshatin Vrellë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I ftuar në “Cherry on Top” me Bora Zemanin, Donald…