PLISI

10 prill 2020 | 21:15

Shkruan: Agim Dobruna

Mbaj mend se isha diku rreth 6 vjeç, pra ende nuk e kisha filluar shkollën dhe jetonim në bashkësi të madhe familjare, kur më kishte zënë syri një trung të përpunuar me kujdes, që ruhej në një ambient të veçantë.
Trungu kishte formën e pjesës së sipërme të kokës dhe shërbente për larjen e plisit. Plisi vendosej në të, sikur të ishte në kohen e njeriut, dhe lagej me ujë të vakët e fërkohej me sapun deri sa bëhej si i ri. Fundja, larja ishte edhe faza finale e prodhimit të një plisi të ri, i cili punohej nga leshi i bardhë i deles. Isha i dëshpëruar se si për një histori aq të gjatë të
ekzistimit të tij, populli shqiptar, populli im, nuk kishte ideuar një kapelë të dytë, një kapelë që do të përdorej për punë, sidomos për punët e
bujqësisë. Nga këto punë, prashitja ishte ndër më të rëndat dhe zakonisht bëhej kur mbretëronin temperatura të larta, që sillnin djersitje, pluhur… këto nuk i shkonin plisit.
Plisi ishte simbol i veshjes elegante e solemne kombëtare, por plisi ishte edhe promovim i burrërimit të cilitdo anëtar mashkull të familjes. Kur djali i familjes arrinte një moshë të caktuar, atij si ndër gjërat e para i blihej plisi, të cilin ai e bartte deri në vdekje. Dalja pa plis ishte tepër shokuese: ”filani kish dalë kryeshtruat“. Ishte si të dilje cullak.
Babai im nuk e barti plisin. Ai gjithmonë kishte bartur kapelë republikë.
Njëherë kishte blerë një plis me idenë qe ta kishim në shtëpi si një simbol kombëtar e pse jo edhe ta përdornim për ceremoni gëzimi. Duke qenë se njerëzit kishin mundësi të kufizuara materiale, fare pak nga ta mund të blinin njëkohësisht dy plisa. Ata që i kishin nga dy, i quanin: ”plisi për bajë (bartje), plis banik, siç njihet shprehja tjetër për rrobat e përditshmërisë dhe plisi “për rojë (ruajtje)”, i cili ruhej i pastër dhe përdorej veç për ceremoni gëzimi. Plisi i babait tim qëlloi të ishte ky i dyti.
Kur isha në Vjenë me padurim prisja ta vizitoja Muzeun e Artit Historik.
Ndër eksponatet e para në krye të shkallëve të muzeut ishin përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut. I vështrova me shumë emocion. Ajo që vërejta në detaje ishte se ato dukeshin shumë solemne. Menjëherë më shkoi mendja tek plisi “për rojë” i babait.
Shumë nga njerëzit e farefisit, duke mos pasur mundësi të kishin këtë plisin e dytë, pra plisin solemn, vinin dhe e huazonin plisin e babait tim për ceremoni dasmash, gëzimesh e festash.

Plisi i babait tim qe një plis me fat. Por, përfundoi në atë mënyre, që dikush nga ata që e huazuan harroi ta kthente.
Filli fatkeq i plisit u nis me ardhjen e fenomenit të migrimit. Shqiptarët, si të varfër e të diskriminuar, u detyruan të kërkojnë alternativa në mërgim, për të siguruar ekzistencën. Për të mos u dalluar dhe tërhequr drejt tyre shigjetat e urrejtjes e që të mund të gjenin punë më lehtë, u detyruan të fillojnë ta zëvendësojnë plisin me “kapelën franceze“ apo “kapelën baske“, të cilën në zhargon e quanim “kapelë me antenë”! Ata hypnin në tren me plis në kokë, por diku para Kralevës e hiqnin me kujdes e palosnin dhe e fusnin në trastë, nxjerrin pastaj kapelën me antenë dhe para se ta vendosnin në kokë, lëshonin një të sharë, si të ishte kjo një punë rituali.
Fqinjët tanë verior, me të cilët ishim të shtrënguar historikisht të jetojmë, e quanin plisin tonë “keqe”, herë herë “shiptarsko keqe”.
Asnjëherë, në asnjë diskutim apo publikim, nuk pashë a dëgjova që e emërtuan me emrin e vet të saktë: “Plis“. Xhelozi? Lakmi?… Albanofobi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dënuar dëmtimin e…