Po mbahet Festivali Folklorik Mbarëkombëtar në Han të Elezit

10 qershor 2023 | 09:48

Hani i Elezit, komunë e vogël e Kosovës, por që po mban një Festival Folklorik Mbarëkombëtar me ansamble të këngëve e valleve dhe shoqëri kulturore artistike nga treva të ndryshme shqiptare, si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ky Festival po mbahet nën patronatin e Kryetarit të Komunës dhe është Festivali i parë Folklorik në Han të Elezit, i cili synon të bëhet Festival Tradicional. Festivali e kishte hapjen gjatë ditës së djeshme dhe realizohet në datat 9, 10 dhe 11 qershor, ku nata finale (11 Qershori) konsiston edhe në Ditën e Çlirimit të Komunës së Hanit të Elezit.

Iniciativën për realizimin e Festivalit Folklorik e mori Kryetari i tanishëm i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, i cili gjatë fjalimit të tij në fjalën e rastit, përmendi se realizimi i Festivalit ishte ëndërr e tij dhe e ekipit punues gjatë kohës sa ishte drejtor i ShKA “Sharri”-Hani i Elezit në vitet 2005-2006, e më pas edhe Drejtor komunal i Kulturës në vitet 2009-2013, por tanimë si Kryetar ai kishte të gjitha të drejtat për ta bërë realitet, pa ia humbur meritat Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit, të cilët vlerësuan iniciativën e Kryetarit dhe votuan unanimisht pro realizimit të tij, dhe tashmë Hani i Elezit është shndërruar në një qytet ku frymon arti dhe kultura.

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar Hani i Elezit 2023 ka karakter garues dhe për të tre netët e Festivalit do të performojnë 22 ansamble dhe shoqëri kukturore, ndërkaq hapja e Festivalit u bë nga nikoqirët ShKA “Sharri” dhe të ftuarit e nderit “QKK Kaçanik”, kurse 20 të tjerat do të jenë në garë mes vete për 13 çmimet e përcaktuara për të gjitha kategoritë kulturo artistike.

Arti nuk vdes kurrë!

Hani i Elezit po bën art!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Lekaj Studiuesi çek Miroslav Hroch, nëpërmes formulimit të një…