“Po mbytem, ma hiqni qesen nga koka”, fjalët e fundit të gazetarit

12 nëntor 2018 | 17:28

Gazetari turk i kronikës së zezë në gazetën “Daily Sabah”, ka treguar për “Al Jazeera” fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi, që u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

“Po mbytem…ma hiqni qesen nga koka, jam klaustrofobik.” Këto kanë qenë fjalët e fundit të gazetarit saudit Khashoggi, sipas një regjistrimi audio brenda konsullatës së Arabisë në Stamboll.

Jamal Khashoggi u mbyt për vdekje me një qese plastike, kurse trupi i tij u copëtua më pas. Gazetari turk Karaman, që ka bërë të ditura këto detaje, ka deklaruar se vrasja zgjati rreth 7 minuta, sipas regjistrimeve.

Presidenti i Turqisë ka thënë të shtunën se regjistrimi audio nga brenda konsullatës lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, iu dërgua edhe Arabisë Saudite, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Erdogan ka shtuar gjithashtu se gazeta turke do të botojë disa momente nga regjistrimet që dokumentojnë çastet e fundit të gazetarit Khashoggi, që punonte si analist për prestigjiozen amerikane “Washington Post”.

Arabia Saudite, e cila pas zhdukjes së gazetarit mohonte të kishte gisht në ngjarje, deri tani ka arrestuar 18 persona për vrasjen e gazetarit, dhe ka shkarkuar 5 zyrtarë të lartë të qeverisë. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare kërkon ekstradimin në Turqi të të dyshuarve, pasi krimi ka ndodhur në territorin turk. /tvklan.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, e ka lavdëruar bashkëlojtarin…