Po presim dritën e gjelbër t’i shpërndajmë pesë milionë euro

15 maj 11:02

Sipas pakos emergjente, do të ketë 5 milionë euro si subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit pasi aktivitetet e tyre janë goditur nga pandemia COVID-19.

Sipas legjislacionit për sportin dhe financimin e federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kohë më parë ka nënshkruar dy vendime që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve.

Mirëpo ndihma ende nuk është shpërndarë. Këtë e konfirmoi ministrja Vlora Dumoshi e cila në një intervistë për KosovaPress u shpreh se ditë më parë ka pranuar një letër nga ministri i Financave dhe Transfereve, Bensik Bislimi ku i është kërkuar që për këto pako fondet të merren nga buxheti i ministrisë të cilën ajo e udhëheq.

“Tash në këtë kohë ka ndërruar edhe situata, u bë edhe mocioni pra rënia e qeverisë. Buxhetin e Kosovës e miraton Parlamenti i Kosovës, dhe çdo ndryshim i buxhetit, sepse ky është ndryshim i madh sepse një pjesë e madhe duhet të shkojë nëpërmes parlamentit të Kosovës që do të miratohet. Ministri i Financave me të cilin kemi pasur komunikime dhe në shumë pyetje të cilat iu kam drejtuar është përgjigjur, ku edhe e falënderoj, para 10 dite na ka dërguar një letër dhe ka thënë se e vetmja mundësi është që vetëm brenda ministrisë, në kuadër të buxhetit të ministrisë që t’i gjeni ato të holla për këtë pjesën emergjente. Si ministre për Kulturë, Rini dhe Sport kur e kam marrë ministrinë kam gjetur 3,800,700 euro obligime të cilat nuk kanë qenë të paguara”.

Ajo deklaroi se për artistët dhe personalitet e tjera të kulturës është duke u krijuar një databazë ku edhe në bazë të saj do ndahet mjetet në mënyrë të barabartë për të gjithë, mirëpo të gjithë duhet të jenë të regjistruar në MKRS.

“Po tash federatat sportive ju e dini që janë të rregulluara shumë mirë. Kemi fat dhe është mirë, është më lehtë, është Komiteti Olimpik janë të gjitha federatat e regjistruara, është një databazë që i dimë të gjithë ku janë. I kemi afër 33 mijë sportistë të cilët janë në fushë, dhe i dimë të gjithë, kurse për pjesën e skenës e pavarur, është pak më problem por shpresoj që shumë shpejt MKRS, me një projekt të cilin sot ka ardhur ka filluar të krijohet një databazë dhe ajo do të thotë shumë mirë, kur i kemi ne të regjistruar. Por janë edhe disa kushte, disa rregullore që edhe artistët e pavarur edhe shoqatat e pavarura duhet të regjistrohen në Ministrinë e Kulturës dhe pastaj e kemi më lehtë të operojmë”.

Sipas Dumoshit, shpërndarja e parave do të jetë më e lehtë për federatat sportive, të cilat janë kategorizuar kohë më parë, dhe kështu ata do t’i pranojnë mjetet në bazë të kategorizimit që është bërë nga Komiteti Olimpik së bashku me MKRS-në.

“Sa i përket sportit, sporti me kategorizimin është bërë një punë e shkëlqyeshme, e cila me mburrje mund të them se as në rajon nuk është mbështetja e institucionit, pra e ministrisë që u jep federatave sportive. Ne jemi ngut dhe këtë pjesën e parë për t’i ndihmuar e kemi ndarë, por kjo shkon në tri faza. Tash kur i gjejmë, ose kur e kemi 5 milionëshin sigurisht kjo do të shkojë edhe për sportin edhe për kulturën, por ne në ministri e kemi pjesën e rinisë edhe pjesën e trashëgimisë kështu që duhet në mënyrë shumë transparente dhe me grupe të cilët përfshihen njerëz jo vetëm të ministrisë, por edhe të pavarur. Kështu që grupi i ministrisë është bërë, disa dokumente i kemi bërë, disa pyetësorë i kemi bërë dhe tash presim se kur do ta kemi thjesht një dritë të gjelbër dhe ta shpërndajmë këtë 5 milionëshin”, tha Dumoshi.

Kujtojmë se, sipas pakos emergjente, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit./KosovaPress/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekonomia e Gjermanisë është tkurrur për 2.2 për qind në…