Poezi nga Uran Krasniqi

29 qershor 2023 | 14:19

ZOTI NË FUNDJAVË

Nuk e di

çfarë viti ishte

kur u linde ti

çfarë stine

çfarë muaji

çfarë jave

që të mos bëj

më shumë tautologji

unë orientimisht

e di vetëm një gjë

ishte fundjavë

mbase e shtunë

a e diel

dhe Zoti e kishte pushim

nuk kishte punë tjetër

dhe të krijoi ngadalë

 

EKZISTENCA

 

Nuk dua asgjë nga ti

më pëlqen vetëm që ekziston

pak rëndësi ka se në krahët e kujt

sa larg meje

more edhe në fund të botës

në televizor apo në gazetë

më pëlqen vetëm që ekziston

dhe që unë të shoh

e ta kuptoj që s’jam i verbër

 

ËNDËRR

 

Mbrëmë m’u hodhe në krah

nuk e di çfarë të kujtohej

duke qarë më thoshe më fal

pas pak u zgjova i përlotur

po mendoja çfarë kisha

nuk mund t’ia falja vetes

që të kisha bërë të qashë

edhe pse vetëm në ëndërr

 

KURRË S’DO TË VDES

 

Kurrë më s’do të vdes

kur s’kam vdekur atë ditë

kur e kam parë

që jam bërë dhembja e syve tu

kur në duart e mia

ke parë gjemba të dalë për ty

kur afër e kemi parë

që na ka përshëndetur largimi ynë

kurrë më s’do të vdes

kur s’kam vdekur atë ditë

dhe pse duhet të vdes një herë tjetër

 

EKSPOZITË

 

Kur të plakem (nëse mbërrij)

dua ta hap një ekspozitë

me fotografi mjekësore

të zemrës

të syve

të trurit

të këmbëve

dhe do të ftoj (nëse je gjallë)

për ta parë

se si një jetë

të kam bartur në qenien time

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
REFUGJAT   Nëse unë nuk jam më në zemrën tënde…