Policia arreston grupin që falsifikonte pasaporta dhe dokumente
Policia e Kosovës ka kryer të mërkurën një aksioni të gjerë kundër krimit të organizuar.
Prokurorja speciale, Habibe Salihu, ka bërë me dije se janë kontrolluar dymbëdhjetë lokacione dhe janë arrestuar nëntë persona, derisa tre persona të tjerë ishin arrestuar në muajin tetor të vitit 2020.
Florije Hajra zyrtare e Policisë se Kosovës, ka thënë se personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer vepra penale të krimit të organizuar, falsifikim të dokumenteve dhe trafikim të njerëzve.
Ajo ka thënë se hetimet janë kryer në bashkëpunuar edhe me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL).
“Në të dy këto raste hetimet janë kryer me EUROPOL-in, me Shqipërinë dhe disa shtete të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Hajra.
Policia ka njoftuar se operacioni i parë kundër këtij grupi është realizuar më 28 tetor të vitit 2020.
Në dymbëdhjetë lokacionet e kontrolluara gjatë të mërkurës, janë gjetur laboratorë të pajisur me aparatura dhe materiale për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, kartela identifikimi si dhe dokumente tjera.
Po ashtu, policia theksoi se janë konfiskuar qindra dokumente të falsifikuara si pasaporta, kartela identifikimi, patentshofer të falsifikuara, të gjitha këto nga më shumë se 16 shtete të ndryshme, kryesisht të vendeve të BE-së.
Të gjithë personat e arrestuar janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe me urdhër të prokurorit ndodhen në mbajtje.



