Policia kap në flagrancë burrin duke rrahur familjarët në Mitrovicë
Një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, pas një incidenti të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 00:20 njësitë policore gjatë patrullimit kanë vërejtur një burrë duke sulmuar dy viktima, një femër dhe një mashkull. Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar të dyshuarin në vendin e ngjarjes.
Është bërë me dije se të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme, ndërsa viktimat kanë refuzuar tretmanin mjekësor.
Gjatë intervistimit është konstatuar se i dyshuari dhe viktimat kanë lidhje familjare. Po ashtu, pas testit të alkoolit, i dyshuari ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit me 1.06 promil.
Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” në koordinim me prokurorin e shtetit, ndërsa i dyshuari është ndaluar në mbajtje policore për 48 orë.



