Politika e jashtme e Kosovës: Kurti hap para, Thaçi hap prapa, ShBA dhe BE ripozicionim

09 mars 2020 | 14:29

Lisen Bashkurti

Kohët e fundit situata në Kosovë duket se po tensionohet sërish. Në qendër të këtij tensioni qëndron çështja e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke nëpërmjet një marrëveshje përfundimtare midis palëve me ndërmjetësim dhe garanci nga ShBA dhe BE.

Në planin e brendshëm Kosovar, shkaku i këtij tensionimi ka të bëjë më bipolaritetin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës, përqendruar tek Qeveria e re dhe tek Presidenti Thaçi. Ky bipolaritet nëse do thellohet siç po duket, do shndërrohet në antagonizëm, në një kohë kur, më tepër se kurrë Kosovës i nevojitet unitet në koalicionin qeveritar dhe kohezion politik mbarë kombëtar, sidomos për politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë.

Një tranzicion i thellë po ndodh në politikën e Kosovës. Aktualisht Qeveria Kurti duket se akoma nuk e ka marrë tërësisht në duart e saj politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës. Inercia e të qenit opozitarë e VV-LDK dhe Kurtit akoma vijon edhe në kushtet e marrjes së mazhorancës parlamentare dhe të qeverisjes së Kosovës.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi vijon të sillet, deklarohet e të veprojë sikur të ishte mazhoranca dhe qeverisja e tij. Inercia e të qenit parti-shtet tek presidenti Thaçi vijon edhe në kushtet kur Ai dhe partia e tij kanë humbur kompetencat kushtetuese dhe legjitimitin popullor për të qeverisur politikat publike, të brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

  1. Qeveria Kurti dhe koalicioni VV-LDK të marrin në duar politikën e jashtme dhe diplomacinë

Për bipolarizimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës në një farë mënyre përgjegjësia është e të dy palëve, Qeverisë dhe Presidentit. Qeveria Kurti lypet të marrë menjëherë dhe tërësisht përgjegjësitë e saj kushtetuese për drejtimin e politikave publike në Kosovë, përparësish, politikën e jashtme dhe diplomacinë. Është momenti i vendimeve të rëndësishme që presin institucionet kushtetuese të Kosovës, parlamentin dhe Qeverinë të dala nga vota popullore e 6 Tetorit 2019.

Kosovës i nevojitet një lidership i qartë, i vendosur dhe i guximshëm për të marrë vendime të shpejta, të drejta, të arsyeshme dhe të guximshme. Koalicioni VV-LDK gërsheton më së miri energjitë rinore dhe përvojën qeverisëse, prandaj shpresat ndaj tij janë të mëdha. Ruajtja e unitetit politik të koalicionit VV-LDK është kruziale për suksesin e lidershipit të Kosovës. Ka dhe do ketë përpjekje djallëzore të brendshme dhe të jashtme për të përçarë koalicionin VV-LDK dhe për të dobësuar kështu, deri në dështim suksesin e tij.

Kurti, Mustafa e Osmani dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përgjegjësi historike, ndaj lypet të qëndrojnë në lartësinë e kërkesave të kohës. Unitet, përgjegjshmëri, profesionalistet – ja çfarë i lypet koalicionit VV-LDK të Qeverisë Kurti. Përballë unitetit, përgjegjshmërisë dhe profesionalitetit askush, as nga brenda dhe as nga jashtë, as me presione dhe as me miklime nuk do të mund të thyejë lidershipin e koalicionit VV-LDK dhe Qeverinë Kurti.

  1. Presidenti Thaçi jashtë binarëve kushtetues e legjitimitetit popullor

Për bipolarizimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës përgjegjësi veçantë dhe kryesore ka Presidenti i Kosovës, Thaçi. I mësuar dhe i toleruar për një kohë të gjatë në krye të Presidencës së Kosovës dhe i mbështetur jashtë kompetencave kushtetuese nga mazhorancat e krahut të luftës, PAN, Presidenti Thaçi, siç duket mediatiksht, po vazhdon sërish dhe madje, intensivisht të luajë protagonistin në politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës, sikur të jetë zgjedhur nga populli ose sikur gëzon të njëjtat kompetenca kushtetuese si homolgu i tij Serb, Vucçiq.

Presidenti Thaçi lypet të futet në binarët kushtetues, nëse nuk e bën këtë vetë, atëherë duhet t’ia imponojnë normat dhe institucionet kushtetuese të Kosovës. Presidenti Thaçi nuk ka asnjë tagër kushtetues e pushtet legjitim për përgatitjen, elaborimin, udhëheqjen dhe implementimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës. Presidenti Thaçi, gjithashtu lypet ta ketë të qartë se Ai nuk ka tagrin kushtetues dhe legjitimitetit e homologut të tij Serb, Vuçiq, pushteti i të cilit buron nga Kushtetuta e Serbisë dhe vota e drejtpërdrejtë popullore.

  1. ShBA-BE të bashkëpunojnë me lidershipin kushtetues dhe legjitim të Kosovës

Për paradoks ka disa faktorë ndërkombëtarë, në ShBA dhe BE që po vijojnë të komunikojnë e veprojnë jo me lidershipin kushtetues dhe legjitim të Kosovës, pra me Qeverinë Kurti të koalicionit VV-LDK, por po i krijojnë akses të padrejtë, të paarsyeshëm dhe krejtësisht të padobishme Presidentit Thaçi për çështja substanciale të politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës.

Natyrisht, presidenti i Kosovës përfaqëson një institucion të veçantë kushtetues për Kosovën dhe si i tillë, Ai ushtron kompetenca edhe të marrëdhëniet ndërkombëtare, vetëm në protokollet dhe ceremonialet diplomatike në emër të Shtetit të Kosovës. Gjithçka është sanksionuar saktë dhe qartë në Kushtetutën e Kosovës, ku parashikohet se politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës drejtohen nga Qeveria e Kosovës, Kryeministri, Ministri i Jashtëm pasi miratohen dhe ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës.

Është momenti, tanimë, që ShBA dhe BE, si dhe përfaqësuesit e tyre diplomatik të fillojnë bashkëpunimin e tyre me institucionet kushtetuese, Qeverinë e mazhorancën të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën përgjithësisht dhe me politikën e jashtme dhe diplomacinë e saj në mënyrë të veçantë.

Kosova po përjeton një tensionim të brendshëm të panevojshëm, shkaku kryesor i të cilit ka të bëjë më bipolaritetin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës, përqendruar njëkohësisht tek Qeveria e re dhe tek Presidenti Thaçi. Ky bipolaritet anti-kushtetues dhe jo legjitim lypet të ndërpritet, sa më shpejtë aq më mirë, për siguruar kështu konstitucionalitet dhe legjitimitet pushteti dhe institucionesh në Kosovë. Nëse ky bipolaritet do thellohet, atëherë në vend të unitetit politika e jashtme do përçahej dhe në vend të kohezionit social vendi do futej në kaos. Më tepër se kurrë Kosovës i nevojitet unitet dhe kohezion në koalicionin qeveritar dhe në rrafsh mbarëkombëtar, për përmbushjen me sukses të të gjithë politikave publike si dhe të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve deri në njohjen reciproke.

Është koha që Qeveria Kurti të bëjë hapa para, Presidenti Thaçi të bëjë hapa prapa dhe ndërkombëtarët të ripozicionen në njohjen dhe bashkëpunimin me lidershipin e ri kushtetues dhe legjitim të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në…