Politikani serb: Vuçiqi po punon në këtë mënyrë për ta njohur pavarësinë e Kosovës

04 maj 2021 | 12:12

Kryetari i lëvizjes serbe, “Çlirimi”, Mllagjan Gjorgjeviq, ka paralajmëruar të martën se “natyra e vërtetë e fjalimeve gjithnjë e më të shpeshta rreth Republika Srpaskas” është fshehja e faktit se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po punon në mënyrë aktive në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Kohët e fundit, Vuçiqi vazhdimisht ka folur për Republika Srpska, duke ia kaluar megafonin e tij edhe Aleksandër Vulinit të flasë për idenë neoradikale të botës serbe, balonat e provës po mbillen në formën e disa letrave për shkëmbimin e territore”, ka thënë Gjorgjeviqi.

Ai ka shpjeguar se qëllimi i gjithë kësaj është “goditja e daulleve nacionaliste” në mënyrë që të krijohet përshtypja në publik se diçka merret në këmbim të lëshimeve.

Gjorgjeviqi ka kujtuar se vetëm në muajt e fundit, fushata serbe për t’i parandaluar njohjet e reja të Kosovës është pezulluar, se “institucioneve kosovare iu dha legjitimitet” dhe se Kosova është lënë jashtë planit të ri hapësinor të Serbisë deri në vitin 2035.

“Vuçiqi premtoi Kosovën në këmbim të mbështetjes së Perëndimit për ardhjen e tij në pushtet në vitin 2012. Prej atëherë e deri më sot, ai ka nënshkruar 48 marrëveshje të ndryshme me shqiptarët dhe tani e fundit, për të cilën insistuan Uashingtoni, Berlini dhe Brukseli, ka arritur të realizohet. Me këtë marrëveshje, regjimi do ta njohë Kosovën dhe do t’ia japë asaj një vend në OKB”, ka thënë Gjorgjeviqi, i cili ka qenë këshilltari i ish-presidentit serb, Boris Tadiq.

Ai ka theksuar se Vuçiqi është duke kërkuar ta “qetësojë publikun” duke krijuar përshtypjen se Serbia do ta “marrë Republika Srpska” në këmbim të njohjes së Kosovës.

“Fatkeqësisht, të gjithë e dimë se ky është një pretendim i pabazuar. Pas zgjidhjes së Kosovës, sponsorët perëndimorë të Vuçiqit ndoshta do të hidhen në centralizimin e mëtejshëm të Bosnjës dhe heqjen e juridiksionit të Srpskas, ku Vuçiqi do t’i ndihmojë përsëri”, ka thënë Gjorgjeviqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si rrallë herë, Lorik Cana flet për njohjen me bashkëshorten…