Popujt që kanë vepruar në koherencë me zhvillimet ndërkombëtare kanë ditur ta ngritin nivelin shtetëror

26 dhjetor 2019 | 11:27

Shkruan: Izmi Zeka

Kosova e pasluftës (4)

Historia gjithherë ishte në anën tonë, por nuk mjaftoi vetëm historia as edhe luftërat e pareshtura të bëra në çdo kohë. Sot kur jemi në një gjendje kur zhvillimet politike, strategjike dhe ekonomike po marrin shpejtësinë marramendëse, Kosova ka përballjen me vetveten, me sinqeritetin e saj dhe me luftën e brendshme, me një fjalë me llojin e saj. Ndoshta mund të thuhet edhe krizë të identitetit apo edhe filozofisë shtetformuese. Raportet shqiptaro-serbe kanë histori të dhimbshme dhe jo vetëm të dhimbshme, por edhe me premisa të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.

Prandaj edhe raportet tona me Serbinë nuk mund të jenë raporte sikur me shtetet e tjera. Tani jemi në një kohë tjetër dhe nuk duhet të mbetem peng të historisë as  edhe të kaluarës sonë të ndritshme.

Ajo duhet të shkruhet e të mësohet, por jo edhe të bëhet pengesë e gjeneratave të reja në zhvillimin e tyre intelektual e shkencor. Pas çdo lufte të ashpër prapë shtetet janë detyruar të ulen në tryezë dhe të gjejnë zgjidhje për ta vazhduar ecjen tutje në mënyrë që qytetarët të jetojnë në paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm shtetëror.

Në rastin tonë tani kur ende nuk ka mbaruar e tëra në raport me Serbinë ne duhet të veprojmë si një trup dhe t’i zgjidhim çështjet që na ka lënë historia barrë.

Vetëm popujt të cilët në momente të caktuara historike kanë ditur të veprojnë në koherencë me zhvillimet ndërkombëtare kanë mundur që të jenë pjesë e zhvillimit dhe ngritjes së nivelit shtetëror krahas shteteve tjera. Thirrja në emër të kaluarës dhe mosveprimi në kohë ka sjell deri të degjenerimi dhe humbja e fuqisë dhe largimi i miqve që kanë qenë aleatë të natyrshëm në momente krize për të humbur edhe identitetin kombëtar. Paslufta sjell shumë patriotë ku nga këndi i vlerësimit shkencor dhe dialektik shkruhet se kanë qenë pengesë reale për formësimin e shtetit.

Në historinë tonë kombëtare pozicioni i Kosovës më i fuqishëm se sot nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk mund të gjendet ndokund në të kaluarën tonë njerëzore.

Prandaj, çdo hap i cili bie ndesh me politikat amerikane mund të sjell një Palestinë   e cila shikuar për nga historia e tyre vështirë se mund të kemi luftëtarë më të denjë se ata. Kur kemi parasysh interesat e fuqive të mëdha, ndryshimet në politiken Amerikane, krizat në për botë Kosova duhet të intensifikojë veprimet e saj qoftë diplomatike pa kryeneçësi në zgjidhjen e problemit kosovaro-serb.

Një që duhet të jemi  koshient, dy shtetet shqiptare të kenë qasje të unifikuar dhe të sensibilizojnë fuqishëm Luginën e Preshevës dhe t’i jepet zgjidhje kësaj pjese që historikisht ka qenë e shqiptarëve.

Konferencat ndërkombëtare nuk përsërit në përditshmëri. Kështu që  moment më i volitshëm se tani kur do të përmbyllet me një marrëveshje ndërkombëtare çështja kosovaro-serbe duke ruajtur subjektivitetin të dyja shtetet është mbase e nevojshme që në tavolinë të hidhet edhe diskriminimi dhe gjetja e një zgjidhje që është interes i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Nëse duam të thirremi në histori kemi sa të duam fakte për Serbinë se çfarë ka bërë ndaj shqiptarëve po citoj Dimitrije Tucoviqin: “Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kishin për qëllim që ta copëtonin Shqipërinë dhe ta ndanin në mes vete. Serbia kishte synim të dilte në bregdet, por ajo, jo vetëm që mbeti pa dalje në bregdet, por krijoj një armik të përbetuar. Shkak kryesor i të të gjitha këqijave që ne i vuajmë dhe do t’i vuajmë është se kemi hyrë në tokë të huaj (Dimitrije Tucovic: Srbija i Albanija, Beograd 1950 f. 91, 117)”.

Gjërat kanë ndryshuar sot kur po shkruaj ku historia dhe miqësia jonë me shtetet demokratike është në anën tonë. Por kjo nuk mjafton nëse ne nuk dimë ose nuk njohim rrethanat evropiane, interesat  e shteteve, fuqitë e mëdha dhe sjelljen tonë në raport me të tjerët. Kohë nuk kemi ashtu siç flasin dhe shkruajnë disa liderë  e që mendojnë se Kosova është epiqendra e botës dhe jetojnë me iluzionet e revolucionit të tetorit të vitit 1917 në Rusi e gjetiu.

Po e mbylli këtë shkrim me Sami Frashërin,  ku një familje e tërë luftoi me mjete qoftë politike, shkencore por edhe ideator të lëvizjeve të shumta kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XIX për të ruajtur shpirtin dhe qenien shqiptare

Në enciklopedinë KÂMÛS AL-A’LÂM, Sami Frashëri, përveç që një pjesë të madhe ua kushton personaliteteve shqiptare dhe Shqipërisë, ai në këtë rast flet edhe për vëllanë e madh, Abdylin. “Ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm, ishte i durueshëm dhe i mësuar në mundimet dhe torturat trupore; ishte trim i madh; ishte i prirur dhe i gatshëm të bëjë të mira të llojllojshme; ishte bamirës dhe shpirtgjerë; ishte bujar dhe fisnik; ishte një njeri që më shumë e donte rehatinë për të tjerët sesa për vete. Madje edhe vdekja e tij ishte madhështore ashtu sikurse edhe jeta, sepse dha shpirt duke folur dhe duke thënë fjalë burrërore dhe këshilla të arsyeshme, me vend. Ky përshkrim imi nuk është shkak, motiv i ndjenjave vëllazërore, por shpresoj se ata që e njohin më për së afërmi do të pohojnë se janë të vërteta. La trashëgimtarë të mirë një djalë dhe një vajzë të vogël, të cilët i la nën kujdesin tim”.

Besoj që këto sentenca të nxjerra nga figura të rëndësishme nga historiografia shqiptare janë mesazhe se si dhe në çfarë gjendje kemi kaluar si popull dhe çfarë duhet të bëjmë. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Gjermanisë dhe anëtari i RB Leipzigut, Timo Werner,…