Poroshenko kërkon NATO-ja dërgimin e anijeve në Detin Azov

29 nëntor 2018 | 11:57

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, i bëri thirrje NATO-s që të dërgojë anije në Detin Azov, për të mbrojtur vendin e tij, pasi Rusia aneksoi tri anije të Ukrainës dhe arrestoi ekuipazhin e tyre, të dielën, jashtë brigjeve të Krimesë.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, Poroshenko ka thënë se shpreson se shtetet evropiane do të ndërmarrin hapa aktivë, përfshirë rritjen e sanksioneve dhe mbrojtjen ushtarake kundër Rusisë.

“Shpresojmë se shtetet e NATO-s janë të përgatitura për të dërguar anije detare në Detin Azov, për të mbrojtur Ukrainën dhe për të ofruar siguri”, ka thënë Poroshenko.

Ai ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, e sheh veten si “perandor”, ndërsa Ukrainën si “koloni” ruse.

“Gjuha e vetme që ai (Putini) kupton, është solidariteti i botës perëndimore. Nuk mund t’i pranojmë politikat agresive të Rusisë. Fillimisht ka qenë Krimeja, pastaj Ukraina lindore, tani e do Detin Azov”, ka thënë Poroshenko.

Deti Azov është uji që ndan Gadishullin e Krimesë – të cilin Rusia e ka aneksuar ilegalisht në vitin 2014 – nga tokat e Ukrainës dhe Rusisë.

Rusia ka ndërtuar urë mbi ngushticën Kërç, për të lidhur Krimenë me territorin e saj.

Ngushtica e Kërçit është rruga e vetme për anijet që udhëtojnë midis Detit Azov, ku Ukraina ka disa porte, dhe Detit të Zi, që zakonisht patrullohet nga NATO.

Ukraina është partnere e NATO-s, por jo anëtare e aleancës ushtarake.

Më herët, NATO e ka bërë të qartë se “qëndron me Ukrainën” dhe i ka bërë thirrje Rusisë që të lirojë anijet dhe detarët ukrainas.

Rusia ka thënë se anijet e Ukrainës kanë hyrë ilegalisht në ujërat e saj, ndërsa Putini ka deklaruar se autoritetet ukrainase kanë “provokuar” qëllimisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Salome Zurabishvili ka fituar zgjedhjet presidenciale të Gjeorgjisë, duke u…