Portret i shkurtër për luftëtarin e madh

28 mars 2021 | 11:57

Shkruan: Bajram Mjeku

Burri në fotografi është Elez Ramë Gecaj nga Lluka e Ulët e Deçanit. Ishte komandant për moral në Brigadën 131 të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit.

Elezin e kam respektuar pa fund, sepse shquhej për virtyte të veçanta. Ishte i vendosur e fjalëpak dhe dinjitoz e mendjehollë. Shquhej për dashurinë e madhe ndaj Zotit, Familjes e Kombit. Shquhej edhe për qëndrimin e gjatë dhe të sofistikuar në ilegalitet. Elezi i takonte orëve të para të rezistencës së armatosur, ndërsa me bindje politike i përkiste të djathtës. Brezi im dallohej për jetë ilegale, por jetë ilegale, të thellë e të jashtëzakonshme, nuk kam dëgjuar ta ketë bërë dikush si Elez Gecaj.

Në vitet tetëdhjetë kur isha student, e kam vizituar shpesh familjen e tij në Llukë të Ulët. Ndjeja obligim të dyfishtë pse me këtë familje jemi kushërinj nga gjaku në njërën anë dhe vëllau i tij Tahir Gecaj vuante dënimin me burg të rëndë si i burgosur politik në anën tjetër.

Herën e fundit me Elezin jemi parë në dhjetor të vitit 1991 në Llukë të Ulët. Mbaj mend kur Elezi më ndali gjithë vikendin, ndërsa bora e madhe që binte ato ditë, ia shtonte hijeshinë epike maleve të Gjeravicës. Elezi qëndronte në kullë deri rreth orës 22:00, pastaj braktiste kullën dhe vendndodhjen e tij nuk e dinte askush!

Nga Elezi gëzoja respekt të dyfishtë edhe falë babës tim. Pesë vjet para se Elezi të largohej nga Kosova, baba im i ndjerë që ishte mjeshtër i hollë i armëve, ia pat ndreçur Elezit një armë të gjatë, e cila siç më kanë thënë miqtë e mi, gjatë luftës në duart e Elezit kishte bërë jehonë të madhe në Dukagjin.

Kur është larguar Elezi nga Kosova në fund të vitit 1991, të gjithë besonin se kishte shkuar në Zvicër, pasi deri në vitin 1982 kishte punuar atje. Në fakt, tek pas rënies së Elezit, kemi kuptuar se ka qëndruar te dajët e tij, më saktë në familjen e fisme Memiaj në Myhejan të Tropojës. Deri kur ka filluar lufta në Kosovë, gjatë gjithë atyre viteve, Elezi është përkushtuar të sillte armë në Kosovë. E në luftën e fundit, edhe dy dajallarë të Elezit kanë rënë dëshmorë. Ishte Tahir Memiaj, i cili ra në një pritë të organizuar të ushtrisë serbe në qershor të vitit 1998 derisa ishte duke bartur armë për në Kosovë në kufirin mbi Jasiq, ndësa vëllain e tij Ramiz Memiajn e arrestuan. Ramizi është vrarë nga forcat serbe në Burgun e Dubravës gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.

Elez Gecaj ka rënë heroikisht së bashku me bashkëluftëtarin Maxhun Berisha nga Prapaqani. Sot, pas një distance kohore, bashkëluftëtarët e tyre flasin për një qëndresë prej titanësh të Elezit dhe Maxhunit përballë forcave serbe. Në një luftë të pabarabartë, këta dy luftëtarë ranë më 28 mars të vitit 1999 tek Ura e Pozharit.

Varrimi i tyre ka ndodhur nën breshërinë e plumbave të forcave serbe. Autori i këtyre radhëve, mbas luftës mori pjesë në zhvarrimin e kufomës së Tij, për t’u rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan. Trupi i Elezit ditën kur ishte varrosur, ishte mbështjellë me batanije dhe kur e shpalosëm atë, kufoma nuk ishte prishur fare sa të mbushej mendja se është varrosur vetëm pak orë më parë. Në fakt, kjo ishte pamja e vërtetë e luftëtarit të paepur, fytyra e të cilit të jepte ndjesinë sikur dritësonte diell e rrëzëllente hanë…

Elez Gecaj e Maxhun Berisha më 28 mars të vitit 2010, nga presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u dekoruan me Urdhrin Luftëtar i Lirisë “Adem Jashari“.

Derisa jam duke shkruar këtë copëz kujtimi me rastin e 22 vjetorit të rënies së tyre, përzieshëm jam duke ndjerë dhembje e trishtim. Në të gjitha luftërat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë gjithë shekullit të kaluar, familja Gecaj i ka dhënë djemtë më të mirë për vendin. Mbas luftës së fundit, kjo familje nuk është trajtuar as në mënyrë simbolike për kontributin e dhënë, prandaj ndjej shqetësim nga mallkimi i gjakut të të gjithë atyre që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Elezi ka lënë dy djemë dhe katër vajza. Hasani, djali i madh, është epror në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Dritë pastë shpirti i Tij në botën e pasosur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kujton të rënët e Izbicës,…