Portreti e lufta e UÇK-së nuk i ka borxh njollosjeje as Serbisë e as ndonjërit që vërtet është i njollosur (20)

02 gusht 2020 | 16:13

Shkruan: Kudusi Lama

“Në periudhën e formimit të UÇK-së, gjatë gjysmës së parë të vitit 1993, në këtë zonë nuk ishte shprehur krimi i organizuar. Me qëllim, para së gjithash, për armatosjen e grupeve të formuara rishtas, pjesëtarët e UÇK-së nga zona e Drenicës dhe e Metohisë, duke u lidhur me kushërinjtë e tyre me punë të përkohshme në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Suedi dhe në vende të tjera, të cilët ishin përfshirë edhe në veprimtari të palejueshme, kishin vendosur shumë kanale për transportimin e armëve dhe të pajisjeve, si dhe të mjeteve financiare për nevojat e terroristëve në Kosovë – Metohi”.[1]

Sipas Serbisë, me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këto hapësira u themelua krimi i organizuar. Dihet që deklarime të tilla duhen konsideruar banale, por ja që ka edhe prej atyre si Dick Marty që i beson dhe i vë edhe në raportin që quhet i Këshillit të Evropës. Nga të dyja palët (që, në fakt, janë një), si serbët ashtu edhe Marty arsyetojnë, sipas mendësisë së tyre, se edhe punëtorët shqiptarë nëpër Evropë, me ndihmën e tyre për luftën çlirimtare, ishin përfshirë në veprimtari të palejueshme. Se si mund të jesh i përfshirë në veprimtari të paligjshme nëse angazhohesh për të luftuar në një mënyrë ose tjetër për ta çliruar atdheun nga pushtuesi kjo është e pakuptimtë. “Në bazë të kësaj, ishte arritur një lidhje solide e ndërsjellë e figurave kyçe të terrorizmit shqiptar dhe të bartësve të krimit të organizuar në krahinën tonë në një masë të madhe me diasporën shqiptare të kriminalizuar dhe një pjesë të politizuar, e cila paraqet një faktor shumë të rëndësishëm për funksionimin e lidhjes së krimit dhe të terrorizmit shqiptar”.[2]

Diaspora shqiptare, sipas Serbisë, është një pjesë e kriminalizuar dhe një pjesë e politizuar, por duke qenë shqiptarë për serbët, nuk mund të ketë asnjeri të pastër. Diaspora shqiptare në rrjedhën e veprimtarisë kombëtare ka qenë dhe mbetet në lartësinë e përgjegjësive për çlirimin e atdheut dhe ndërtimin e jetës qytetare në vend, duke financuar dhe marrë përgjegjësi të mëdha në gjithë hapësirën ku është shpërndarë për ta siguruar jetësimin e atdheut dhe çlirimin e tij. Ajo ka dhënë prova të fuqishme për ta fuqizuar luftën e UÇK-së. E quan Serbia dhe Marty UÇK-në organizatë terroriste apo të krimit të organizuar, ajo mbetet emblemë e krenarisë kombëtare shqiptare. Në portretin e saj nuk ka asnjë njollë. Askush, qoftë edhe zotëri Marty, në emër të Evropës e për interesat e Serbisë nuk mund ta njollosë atë dhe veprën e saj.

“Njëkohësisht, sanksionet që bashkësia ndërkombëtare zbatoi ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë, si dhe bllokada tregtare e Republikës së Maqedonisë nga ana e Greqisë, kontribuuan që qysh herët të vendoseshin rrugët e kontrabandës së drogës nga Turqia drejt tregut evropian-perëndimor e orientuar në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovë – Metohisë. Një pjesë e të ardhurave që realizuan me këtë punë të paligjshme, bartësit e këtyre veprimtarive i paguan, gjoja, në fondet humanitare, prej të cilave u financuan veprimtaritë e pjesëtarëve të UÇK-së”.[3]

Serbia gjithnjë ka tentuar ta paraqesë veten si shtet lider në Ballkan, që është e fuqishme ta disiplinojë gjithë rajonin. Këtë edhe e ka propaganduar gjerësisht në gjithë historinë e saj politike. Një dukuri e tillë shihet edhe në citimin e mësipërm, ku u vihet faji sanksioneve të botës kundër Jugosllavisë, që kontribuuan të “vendoseshin rrugët e kontrabandës së drogës nga Turqia drejt tregut evropian-perëndimor e orientuar në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovë – Metohisë”. Duket vërtet qesharak ky arsyetim, por ja që ndërtohet në atë mënyrë të stërholluar që në politikën dhe opinionin evropian konsumohet dhe bën efekte duke favorizuar të kundërtën e së vërtetës.

Aspak Serbia edhe sot nuk ka vrarje ndërgjegje për atë që ka bërë mbi popujt e Ballkanit, duke i shkatërruar e duke vrarë me qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, por ka shqetësim se bllokada dëmtoi Ballkanin pasi krijoi kushte të favorshme “nga pamundësia e Serbisë për ta ndalur, si rrjedhojë e bllokadës ndërkombëtare”.

Lexuesi duhet të përpiqet të kuptojë domethënien e çdo citimi. Ne duhet të dimë se çfarë thotë armiku për ne. Nëse përpiqemi ta fshehim atë që thotë ai, domethënë ai ka të drejtë, sepse ne trembemi prej atyre thënieve. Nëse vërtetë dikush e ndjen veten fajtor, le të japë llogari, por portreti kombëtar dhe portreti e lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i ka borxh njollosjeje as Serbisë e as ndonjërit që vërtetë është i njollosur. Unë kam dëshirë që ne duke e njohur të vërtetën, të dimë t’i kthejmë përgjigje edhe armikut.

Askush nuk duhet të habitet, armiku kryen punën e tij. Me rëndësi është që edhe ne të kryejmë punën tonë. Në citimet e mësipërme dhe të gjitha ato që do të citohen në këtë kapitull, lexuesit do të arrijnë të kuptojnë se për Serbinë të gjithë shqiptarët kudo që janë, janë mafiozë, kriminelë, terroristë, bashkëpunëtor të krimit, trafikantë, etj., ndërsa shqiptarë të mirë konsiderohen ata të bindurit, ata që nuk e kundërshtojnë pushtimin dhe ata që bashkëpunojnë me pushtuesin. Ndërsa çdo thirrje në emër të atdheut, të kombit, të moralit dhe të drejtësisë që keni dëgjuar deri sot, Serbia e konsideron kriminalitet. Të gjithë ata që kanë këtë mendim, të çfarëdo kombësie qofshin, edhe shqiptarë po të jenë, unë dëshiroj të vihen në frontin e opinionit të Serbisë publikisht, se shqiptarëve në historinë e tyre nuk u prishin punë. Ndoshta do t’i mundojnë, siç do t’i mundojë edhe raporti i Dick Martyt në emër të Evropës me gjykatën speciale që prodhoj dhe vuri në veprim, por në fund fitorja është e shqiptarëve të ndershëm dhe e luftëtarëve të UÇK-së.

“Nga pothuaj 900 milionë DEM (marka gjermane) që arritën në Kosovë e Metohi ndërmjet viteve 1996 dhe 1999, gjysmën e përbënin paratë e fituara me tregtinë e narkotikëve, që specialistët e Interpolit në dhjetor të vitit 2000, i çuan në përfundimin se janë veprimtari të mjeteve të mbledhura për Kosovën dhe UÇK-në të përdorura për pastrimin ilegalisht të parave të fituara”.[4]

Unë nuk kam pritur që Serbia të shprehet ndryshe. Nëse do të shprehej ndryshe do të dilte nga vetja. Por shqiptarët që i kanë dhënë ato të ardhura financiare për luftën e tyre për liri, e dinë mirë se me sa mund e djersë i kanë fituar ato para, duke punuar pa orar që të financojnë familjet në varfëri të tejskajshme dhe të japin kontributin e mundshëm për çlirimin nga pushtuesi.

Të gjithë besoj e kujtojnë edhe vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizimin e përgjithshëm, ku përjashtoheshin nga mobilizimi të gjithë ata që me punën e tyre në Evropën Perëndimore e në Amerike, kishin mundësi të financoni sado pak që luftëtarët të mund të vazhdonin kryerjen e detyrave luftarake kundër pushtuesit. Po të kishte para të mjaftueshme e të bollshme siç pretendon Serbia në deklarimet e saj, nuk kishte nevojë të shmangeshin kjo kategori e shqiptarëve nga mobilizimi për të qenë luftëtarë në frontet e lirisë në atdhe.

Pra, duhet kuptuar se edhe ata që kanë financuar Luftën Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë kontributin e tyre shumë të madh për lirinë. Por asnjë prej tyre nuk ka menduar të fitojë në rrugë të paligjshme për të financuar luftën.

Edhe Europa në vitin 1998 duke dëgjuar shpifjet serbe bëri një bllokim të përkohshëm të këtyre fondeve, por kur vërtetoj se ato nuk ishin tjetër veçse para të qytetarëve të emigruar që i fitonin me punën e tyre të ndershme në vendet e Evropës dhe që i financonin për lirinë e vendit të tyre, ky bllokim u hoq dhe financimi vazhdoj normalisht.

“Kanalet për transportim ilegal të drogës, UÇK nuk i ka shfrytëzuar vetëm si mënyrë që heroina të transportohej në Evropë, për shkak të fitimit (profitit) të madh, por edhe për shkak të futjes së armëve në Ballkan. Droga është këmbyer drejtpërdrejtë me armë ose ato janë blerë me para të fituara nga tregtia e narkomanëve në Shqipëri, Bosnjë – Hercegovinë, Kroaci, në Qipro, Itali, Mal të Zi, Zvicër dhe në Turqi”.[5]

Sipas citimit të mësipërm gjithkush duhet të kuptojë se sipas propagandës shpifëse të Serbisë, çdo armë që ka ardhur në Kosovë për të luftuar me të për çlirimin e vendit nga pushtuesi, është blerë me parat e drogës dhe të trafikut të saj. E për këtë nuk përtohet të njollosen jo vetëm shqiptarët, por edhe Bosnje – Hercegovina, Kroacia, Qiproja, Italia, Mali i Zi, Zvicra dhe Turqia. Nuk janë vetëm këto shtete që konsiderohen se ishin në lojën e shqiptarëve për trafikun e Drogës. Në citimet e mëposhtme do të shikoni se nuk kursehet as Franca, Anglia, Gjermania, Kanadaja e edhe ShBA-ja. Por këto nuk janë befasi, ne jemi mësuar me shpifje të tilla. Problemi qëndron në atë se si t’u bëhet e qartë Dick Martëve se këto janë mashtrime. Rruga e sqarimit të këtyre të pavërtetave që ua veshin serbët të gjithëve, por për hatër të shqiptarëve ose nën diktatin e tyre, që këtë nuk besoj se e pranojnë gjermanët, francezët, anglezët, italianët, grekët, turqit, skandinavët, amerikanët etj., që të jenë vënë nën diktatin e shqiptarëve e të bëjnë çfarë duan shqiptarët.

Unë jam i sigurt jo sipas bindjeve, por duke e parë dhe njohur gjendjen në vendin dhe në kohën ku dhe kur ka ndodhur, se çdo armë e futur dhe përdorur në Luftën Çlirimtare të Kosovës nga UÇK-ja, është blerë me paratë e mundit dhe të djersës së shqiptarëve në atdhe dhe në vendet e tjera, si dhe luftëtarët asnjëherë nuk kanë kërkuar far luksi për vetë përveç elementëve më minimal për jetesë. Dhe kur them luftëtarët, nuk kam parasysh ushtarët e thjeshtë të frontit, por nga Komandanti i Përgjithshëm e UÇK-së, anëtarët dhe funksionarët e Shtabit të Përgjithshëm e në gjithë hierarkinë e kësaj lufte, që unë për fatin dhe lumturinë time i kam njohur dhe ua di bëmat dhe jetesën e asaj kohe të lavdishme, për të cilën ata vetë por edhe çdo shqiptar duhet të ndihet krenarë.

“Me ardhjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë – Metohi u krye dezintegrimi dhe çmilitarizimi formal i UÇK-së, por kjo organizatë as deri më sot nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e vet. Një pjesë e përbërjes e ka orientuar veprimtarinë në plan politik, nëpërmjet partive: Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa rreth 10.000 pjesëtarë të UÇK-së janë përfshirë me transformimin e UÇK-së në Korpusin e Mbrojtjes së Kosovës dhe në Shërbimin e Policisë së Kosovës”.[6]

Çfarë mendon Serbia në këtë libër të 2004 dhe Dick Marty me raportin e vitit 2010, a mos kanë menduar se çlirimtarët, pasi të çlirohej atdheu do ta braktisnin atë? Natyrisht pas lufte luftëtarët ingranohen në parti politike, në polici të vendit, në forcat ushtarake dhe në administratën civile. Pse Serbia dhe zotëri Marty mendojnë se pas lufte ata nuk duhet të ishin askund. Pse mendojnë se duhet të ishin jashtë Kosovës ose të mos kishin asnjë të drejtë? A e kuptojnë pse luftohet për liri Serbia e zotëri Marty? Realisht kur lexon deklarime të tilla ata që i kanë shkruar duket se janë shakaxhinj, por që bëjnë siç thonë shqiptarët: Shaka pa kripë.

“Ka rëndësi përfundimi se krimi i organizuar në Kosovë – Metohi, duke marrë strukturën dhe infrastrukturën e UÇK-së, është zhvilluar dhe degëzuar krahas me terrorizmin shqiptar dhe që tani paraqet një bazë materialo-financiare të qëndrueshme, por dhe ekspansive të lëvizjes terroriste-separatiste shqiptare në tërësi”.[7]

Duket se sipas Serbisë paslufta meqenëse nuk lejoj të ishte më e të sundonte Serbia në Kosovë si dinte ajo, tashmë nuk do të kishte tjetër veçse terrorizëm dhe separatizëm shqiptar në tërësinë e shtrirjes kombëtare. Ku do të kishte vetëm ekspansionizëm. Po vërtetë a dihet se kush quhet ekspansionist? A quhet ekspansionist ai komb që lufton dhe punon të sundojë vetveten apo ai shtet e komb që lufton e bën masakra për të sunduar kombet e tjera? Këtë përgjigje është me vend ta japë zotëri Marty, i cili në raportin e tij ka shkruar gjithçka që shkruajnë serbët veçse duke u përpjekur të moderojë gjuhë.

Struktura dhe infrastruktura e UÇK-së do të jetë përjetësisht e pranishme në Kosovë, pasi ajo është struktura dhe infrastruktura e lirisë, duan apo nuk duna serbët dhe zotëri Marty. (Vijon)

 

[1] Po aty faqe 10

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 11, botimi serbisht

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 9, botimi serbisht

[2] Po aty faqe 9

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 9, botimi serbisht

 

[4] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 9-10, botimi serbisht

[5] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 10, botimi serbisht

[6] Po aty faqe 10

[7] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 11, botimi serbisht

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN) ka bërë një…