Pozita dhe opozita me deklarata kontradiktore për raportimin e Bislimit

15 shkurt 2024 | 12:39

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka raportuar të enjten me dyer të mbyllura në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për çështjen e dialogut me Serbinë.

Deputetet Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Ariana Musliu-Shoshi kanë dalë me deklarata kontradiktore lidhur me raportimin e Bislimit në këtë komision.

Kryetarja e këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se raportimi është mbajtur me dyer të mbyllura për shkak të shpalosjes së dokumenteve konfidenciale.

Ajo ka thënë se deputetët kanë marrë informacione që kanë qenë të nevojshme sidomos për deputetët e opozitës, të cilët i ka akuzuar për deklarime të pavërteta për procesin e dialogut. “Vetë fakti që kemi vendosur ta mbajmë një takim të mbyllur është se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente të cilat janë konfidenciale dhe nuk preferohet të ndahen me opinionin për shkak se procesi është shumë fragjil në fazën që është. Kemi folur për procesin e dialogut në faza të ndryshme, por fokusi ka qenë të çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në procesin e dialogut tash e tutje. Kemi marrë informacione që besoj se kanë qenë shumë të nevojshme të ndahen në veçanti për deputetët e opozitës të cilët herë pas here i shohim që nxjerrin në opinionin publik informacione që janë krejtësisht të pavërteta”, ka theksuar Kryeziu-Hyseni.

Ky raportim, sipas saj, “ka ndihmuar që të paktën këtë të mos e bëjnë tash e tutje”.

Një gjë e tillë është mohuar deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi. Ajo e ka akuzuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për sulm personal. “Mora një sulm personal, i cili nuk është aspak për t’u vlerësuar. Por nëse zëvendëskryeministri e vlerëson, atëherë ato sulme personale mund edhe t’i bëj publike, sepse vlerësoj se jam faqebardhë në çdo aspekt. Sulmet ishin të nivelit profesor-student, gjoja se jam kapur në plagjiaturë në kohën sa kam qenë studente në AUK, por kjo nuk qëndron pasi kam qenë studente me ‘A’-ja dhe kam qenë bursiste. Prandaj, të gjitha këto janë lehtë të qasshme dhe më vjen keq që në nivelin akademik dhe atë që përfaqëson sot, kemi ardhur në pikën ku në vend se të raportojë për atë çka po ndodh dhe rrugën që po ndjek në dialog, shteti jonë në kohën kur nuk e kemi asnjë aleat të vetëm i cili sot na përkrah në këtë drejtim, lëshohet në një nivel kaq të ulët personal me mua dhe deputetët e tjerë”, ka thënë Musliu-Shoshi, raporton “Kosovapress”.

Musliu-Shoshi, para gazetarëve ka thënë se nuk ka pasur asnjë dokument konfidencial që është shfaqur në komision, i cili ishte i mbyllur për medie. “Jemi gjithmonë transparent sepse vlerësoj se dialogu ka njëfarë mase të konfidencialtetit, por disa gjëra kryesore duhet të dihen nga ju si medie. Në këtë mbledhje, nuk pati as edhe një informatë të vetme të cilën e konsiderojmë konfidenciale. Krejt ajo çka provon pushteti të bëjë është të ngre drama në publik se gjoja po flitet diçka konfidenciale. Nuk pat asgjë më shumë se ajo çfarë keni parë dhe dëgjuar nga Bislimi. Ajo çfarë kërkova ishte të na tregojë nëse ShBA-ja dhe BE-ja nuk janë partnerë me të cilët bashkëpunojmë, nëse Borrelli e Lajçaku nuk janë kredibil në përfaqësim. Atëherë në çfarë rruge po shkojmë, kush janë partnerët tanë me të cilët duhet të ecim përpara? Pse çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës duhet të shndërrohen në instrumente për t’u diskutuar në organizata ndërkombëtare, siç ishte ajo në Këshillin e Sigurimit. Çfarë është duke munguar në këtë linjë të komunikimit me aleatët tanë ndërkombëtarë?”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Lidhur me këtë raportim nuk është deklaruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga e premtja e 16 shkurtit, çdo moment mund të…