Prag feste

14 maj 2021 | 14:36

Vaso Papaj

 

I pashë në TV. Të nginjur, mes sheshit,

Tek hanin e pinin: Të parë, të dytë.

Iftar i kish shtruar “I pari i qytetit”

Dhe darka atë natë më mbeti në fyt.

 

Dhe dola. Një ajër. Lulishtja buzëdetit.

Shtrirë një lypsar aty në errësirë.

Sa doja një ftesë t’i kish ardhur të shkretit!

Një supë, një mish dhe pak ëmbëlsirë.

 

Dhe unë po atë natë e shtrova iftarin:

Xhepat i shkunda, i ktheva përmbys.

Me mbetje pensioni e preka altarin

E natën me dhimbje provova ta mbys.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja e radhës për asambliste të AAK-së në Prishtinë është…