Pranvera në Britani vjen një muaj më herët si pasojë e ndryshimeve klimatike

02 shkurt 2022 | 08:33

Ndryshimet klimatike po bëjnë që bimët në Mbretërinë e Bashkuar të lulëzojnë mesatarisht një muaj më herët, sipas një studimi.

Ashtu si rënia e gjetheve të vjeshtës po vonohet nga moti i ngrohtë, lulet po shfaqen më herët në pemë dhe shkurre.

Por ndërsa disa mund t’i mirëpresin këto lulëzime të parakohshme, shkencëtarët po paralajmërojnë për rreziqet.

Ata thonë se nëse trendi vazhdon, do të ketë efekte të dëmshme për zogjtë, insektet dhe ekosistemet e tëra.

“Mospërputhja ekologjike mund të fillojë, e cila do të kishte një efekt dramatik në funksionimin dhe produktivitetin e natyrës dhe bujqësisë”, tha studiuesi kryesor, Ulf Buntgen nga Universiteti i Kembrixhit.

“Sistemi ynë klimatik po ndryshon në një mënyrë që ndikon ne dhe mjedisin tonë”, tha ai.

Shkencëtarët paralajmërojnë se nëse speciet dalin jashtë sinkronizimit me njëra-tjetrën, kjo mund të ketë pasoja katastrofike – një koncept i njohur si mospërputhje ekologjike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Poleni, nektari, farat dhe frutat e bimëve janë burime të rëndësishme ushqimore për insektet, zogjtë dhe kafshët e tjera të egra. Dhe nëse lulet shfaqen shumë herët, ato mund të goditen nga ngrica, duke dëmtuar të korrat e pemëve frutore.

Studiuesit e Kembrixhit krahasuan datat e para të lulëzimit të 406 specieve bimore me të dhënat klimatike, duke gjetur se lulëzimi i hershëm është i lidhur ngushtë me rritjen e temperaturave globale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina, është përfshirë këto ditë…